Ilazi nderon me mirënjohje delegatët e Kushtetutës së Kaçanikut

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në nderim të 7 Shtatorit, Ditës së Kushtetutës së Kaçanikut, delegatët e kuvendit të vitit 1990, u mblodhën sërish në Kaçanik. Kësaj here për t’u nderuar me mirënjohje për sakrificën dhe guximin e tyre të treguar atë kohë të brishtë. Kryetari Besim Ilazi tha se…

Lajme

07/09/2025 10:40

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në nderim të 7 Shtatorit, Ditës së Kushtetutës së Kaçanikut, delegatët e kuvendit të vitit 1990, u mblodhën sërish në Kaçanik.

Kësaj here për t’u nderuar me mirënjohje për sakrificën dhe guximin e tyre të treguar atë kohë të brishtë.

Kryetari Besim Ilazi tha se e çmojmë dhe vlerësojmë kontributin e secilit delegat të asaj kohe, ku me guxim dhe sakrificë arritën qëllimin e tyre.

Ilazi po ashtu i falënderoi edhe qytetarët guximtarë kaçanikas të cilët realizuan në përpikëri skenarin e pritjes dhe përcjelljes të secilit pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Komunës së Kaçanikut të përgëzoj të gjithë delegatët e gjallë, në krye me Kryesuesin e atëhershëm të Kuvendit, zotin Ilaz Ramajli për guximin dhe aktin e trimërisë, ndërkaq për ata që kanë ndërruar jetë shpreh respektin më të thellë institucional në emër të Komunës së Kaçanikut. Kam nderin të përgëzoj edhe qytetarët e Kaçanikut për angazhimin e tyre e veçanërisht ata të cilët patën guximin të presin e shoqërojnë në fshehtësi delegatët e Kuvendit të atëhershëm”, tha në fjalën e tij Ilazi.

Në fund të fjalimit të tij uroi që kjo ngjarje të mos jetë vetëm në nivel komunal, por të kaloj në nivelin e organizimit shtetëror për vetë rëndësinë dhe peshën historike që ka.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës të asaj kohe, Ilaz Ramajli, i cili evokoi kujtime nga ajo ditë, ndërsa në emër të delegatëve falënderoi institucionet komunale për kujdesin dhe interesimin e përvjetshëm për të shënuar këtë ditë, duke shpresuar që viteve të ardhshme kjo ngjarje të shënohet edhe nga niveli qendror ashtu siç e ka edhe rëndësinë historike, ndërsa Kaçaniku do të jetë gjithmonë nikoqir.

Kryetari Ramajli po ashtu theksoi rëndësinë e transmetimit të kësaj historie tek brezat e rinj, duke ruajtur kështu kujtesën historike.

Delegatët e pranishëm në këtë takim, shprehën emocione dhe mburrje për tërë ngjarjen e zhvilluar të asaj kohe, ndërsa u shprehën falënderues për tërë pritjen dhe mirënjohjet e ndara nga kryetari Ilazi.

Bazuar në Deklaratën e Pavarësisë së 2 Korrikut të vitit 1990, më 7 Shtator në Kaçanik, u shpreh vullneti politik i popullit të Kosovës, me shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.