IKD: Qeveria pa mandat po uzurpon kompetencat kushtetuese dhe ligjore, vendimet e tyre më 12 gusht cenojnë rendin kushtetues
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë përbëjnë cenim serioz të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Sipas IKD-së, Qeveria në detyrë ka vazhduar të ushtrojë kompetenca ekzekutive edhe pasi anëtarët e saj janë zgjedhur deputetë, duke ngritur pikëpyetje mbi…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë përbëjnë cenim serioz të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës.
Sipas IKD-së, Qeveria në detyrë ka vazhduar të ushtrojë kompetenca ekzekutive edhe pasi anëtarët e saj janë zgjedhur deputetë, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e vendimeve të marra.
IKD i referohet nenit 72 të Kushtetutës, i cili përcakton se deputeti i Kuvendit nuk mund të mbajë post ekzekutiv apo të ushtrojë funksion tjetër ekzekutiv. Po ashtu, Instituti thekson se edhe neni 26 i Ligjit për Qeverinë parasheh që anëtarët e Qeverisë në detyrë, të zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para certifikimit të rezultateve.
Instituti thotë se, pavarësisht këtyre kufizimeve, më 12 gusht Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike dhe ka marrë një varg vendimesh me pasoja juridike, institucionale, pronësore dhe buxhetore. Ndër to, sipas IKD-së, janë vendime për qiradhënie të pronës publike deri në vitin 2033, procedura shpronësimi dhe ndarje të mjeteve financiare.
Kritika të veçanta IKD ka edhe për vendimet për themelimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese. Sipas Institutit, neni 31 i Ligjit për Qeverinë ia ndalon Qeverisë në dorëheqje inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike.
IKD shpreh shqetësimin se këto procedura mund të ndikojnë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve si Thesari i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Agjencia për Siguri Kibernetike, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Në reagimin e tij, IKD i referohet edhe një vendimi të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, e cila kishte shfuqizuar një udhëzim administrativ, ndër të tjera, për shkak se ishte nxjerrë nga një person që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore ushtronte njëkohësisht mandatin e deputetit dhe funksionin e ministrit në detyrë.
IKD kërkon nga Qeveria që të ndërpresë menjëherë çdo vendimmarrje që tejkalon aktivitetet e domosdoshme, të pezullojë zbatimin e vendimeve të 12 gushtit dhe t’i nënshtrojë ato një shqyrtimi të plotë juridik.
Po ashtu, Instituti kërkon që vendimet për themelimin e komisioneve të pranimit dhe çdo procedurë të re emërimi të shfuqizohen pa vonesë.
“Kosova nuk mund të qeveriset nga njerëz që duan të jenë njëkohësisht deputetë dhe ministra, ligjvënës dhe ekzekutues të ligjit”, thuhet në reagimin e IKD-së.