Ibrahimi: Komunat e Kosovës humbin mbi 73.5 milionë euro nga vendimet gjyqësore vetëm në vitin 2025

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat e vendit po përballen me humbje të mëdha financiare si pasojë e vendimeve gjyqësore, kryesisht për zbatimin e kontratës kolektive. Sipas tij, gjatë vitit 2025 komunave iu janë marrë mbi 73.5 milionë euro, të shpërndara në kategori të…

Lajme

01/09/2025 16:33

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat e vendit po përballen me humbje të mëdha financiare si pasojë e vendimeve gjyqësore, kryesisht për zbatimin e kontratës kolektive.

Sipas tij, gjatë vitit 2025 komunave iu janë marrë mbi 73.5 milionë euro, të shpërndara në kategori të ndryshme buxhetore: Investime kapitale: mbi 40 milionë €, mallra dhe shërbime: mbi 24 milionë €, shpenzime komunale: mbi 3 milionë €, subvencione dhe transfere: mbi 5.5 milionë €, kategoritë tjera buxhetore: pjesë nga shuma totale

“Nga kjo shumë, komunat kanë mbetur me minus mbi 40 milionë euro vetëm në investime kapitale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e projekteve zhvillimore dhe objektivave të kryetarëve të komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi ka theksuar se barrën më të madhe e përbën zbatimi i kontratës kolektive, ndërsa niveli qendror nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të gjetur një zgjidhje institucionale.

Në total, që nga viti 2022 e deri më sot, komunave të Kosovës iu janë marrë mbi 236.5 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, duke vënë në rrezik financat lokale dhe duke pamundësuar investime të reja, shërbime më cilësore dhe mbështetje për qytetarët përmes subvencioneve dhe transfereve.