Ibishi: Situata mbetet e brishtë, ngërçi politik turp për deputetët
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se situata aktuale në vend vazhdon të jetë e brishtë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të konstituar institucionet. “Situata mbetet e brishtë edhe me dështimin e 29-të të konstituimit, por pa rezultat. Deklaratat duhet të jenë gjithmonë shqetësuese për opinionin publik,” ka theksuar ai. Ibishi ka theksuar se…

Lajme
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se situata aktuale në vend vazhdon të jetë e brishtë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të konstituar institucionet.
“Situata mbetet e brishtë edhe me dështimin e 29-të të konstituimit, por pa rezultat. Deklaratat duhet të jenë gjithmonë shqetësuese për opinionin publik,” ka theksuar ai.
Ibishi ka theksuar se raportet rreth çështjeve të sigurisë janë intensifikuar vetëm në vitet e fundit të qeverisjes Kurti, ndërsa më herët kjo fushë kishte mbetur në hije.
“Ka pasur dukshëm avantazh krahasuar me qeveritë e kaluara, por jo në mënyrë përfundimtare, siç po deklarohet,” tha ai.
Duke komentuar situatën politike, eksperti i sigurisë u shpreh kritik ndaj partive politike dhe deputetëve, të cilët i cilësoi përgjegjës për ngërçin aktual. “Në vend që të merremi me ngërçin politik, i cili është turp për deputetët, për partitë politike apo koalicionet, po dërgohen mesazhe qetësuese ose të kompromisit për atë që duhet bërë. Nuk është e pranueshme që kjo të shpaloset si sukses, sepse pikërisht këta janë fajtorët e rrjedhës së situatës,” deklaroi ai.
Ndërkohë, veprimet e avokatit Arianit Koci, Ibishi i ka vlerësuar pozitivisht. “Veprimet e avokatit Arianit Koci janë për t’u përshëndetur,” u shpreh ai.
Ai shtoi se qytetarët duhet të kërkojnë më shumë përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre. “Të gjithë qytetarët që kanë dhënë votën duhet të kërkojnë përgjegjësi nga këta deputetë të papërgjegjshëm,” tha Ibishi.
Sa i përket prononcimeve të kryeministrit Albin Kurti, Ibishi vlerëson se ato nuk duhet të shihen si arritje personale. “Prononcimi i Kurtit për një rezultat më të mirë në sigurinë nacionale nuk është për t’u lavdëruar, pasi ai është kryesor për ndërmarrjen e hapave konkretë për tejkalimin e situatës dhe krijimin e institucioneve stabile dhe qëndrueshme. Ai mban dy pozicione — si kryeministër dhe si deputet — dhe kjo përgjegjësi nuk duhet relativizuar,” përfundoi eksperti. /Dukagjini.