​I vetëm dhe në kushte të rënda, rrëfimi i të moshuarit në Prishtinë: Kur je unët nuk mundesh me flejt

Heshtjen që mbizotëron brenda katër mureve po e thyen zhurma monotone e akrepave të orës. Ditët e netët e gjata po i kalon këtu, në një hapësirë të pamjaftueshme. Kjo është përditshmëria e Hetem Fejzullahut, 77-vjeçarit i cili jeton në një shtëpi me qira, në qendër të Prishtinës. Që nga vdekja e nënës së tij,…

Lajme

05/06/2025 09:52

Heshtjen që mbizotëron brenda katër mureve po e thyen zhurma monotone e akrepave të orës. Ditët e netët e gjata po i kalon këtu, në një hapësirë të pamjaftueshme. Kjo është përditshmëria e Hetem Fejzullahut, 77-vjeçarit i cili jeton në një shtëpi me qira, në qendër të Prishtinës. Që nga vdekja e nënës së tij, në vitin 2008, ai jeton i vetëm dhe takimet me të tjerët i ka të rralla.

Fle, zgjohet, përgatit ushqim, i vetëm.

Hetemi ka harruar kur ka qenë hera e fundit që dikush ka trokitur në derën e tij.

Mes mërzisë e jetës së vështirë, i moshuari nga Prishtina rrëfen për pleqërinë e rëndë.

“Kush po të do se, kush po të do, askush hiç. Askush nuk më vjen këtu. Çfarë të bëj. Nuk më vjen askush jo… Pa mërzi nuk jemi. Po çfarë të bëjë tash. Perëndia na ndihmon them… Më kanë vdekur krejt [familjarët], nëna, babai, vëllai, krejt. Vetëm jam, një herë për një herë”, rrëfen ai.

Ecë pak, pushoj pak, dal sërish… Kështu e përshkruan një ditë të tij, Hetemi.

Me një fytyrë të mërzitur e të lodhur, tregon se jo rrallë fle edhe i uritur.

“Nuk mund të flesh, kur je i uritur nuk mund të flesh. A keni ra të uritur, nuk të merr gjumi, gjumi nuk të merr. Po nganjëherë po ndodhë, çfarë të bëjë… ‘Festa – meta’, kanë kaluar prej meje krejt. S’ka, askush nuk po të thirrë, po s’ka para të shkoj aty ku janë të tjerët”,shton Fejzullahu.

Përveç vetmisë, hall të madh ka edhe si të ia dalë me 120 euro sa përfiton asistencë sociale.

“Barnat shtrenjtë shumë. Shumë shtrenjtë… veç kjo [tregon një lloj të barnave] kushton 15 euro. Tani disa gjëra tjera edhe ashtu nuk e ke”,përfundon ai.

Hetemi nuk është rasti i vetëm i cili jeton pa përkujdesje familjare dhe në kushte skajshmërish të rënda.

“Çfarë kemi vërejtur është që kemi një rritje të numrit të personave të moshuar të vetmuar, të cilët janë pa përkujdesje familjare. Deri para një viti i kemi pasur 500 persona në nivel vendi që kujdesemi, ndërsa tash numri është diku 700-750 persona që na mundohemi të kujdesemi për ta… Sa i përket personave të moshuar [numri më i madh i rasteve] kemi Kamenicën që është pak më e theksuar, mirëpo në përgjithësi thuajse të ngjashme komunat, nuk mund të theksojmë një komunë që është shumë ndryshim prej të tjerave”,deklaron Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës.

Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar se sa është numri i personave pa përkujdesje familjare në të gjithë Kosovën, por as sa është numri i atyre të cilët janë të strehuar në shtëpitë e të moshuarve.

Thirrja e Hetem Fejzullahut nga Prishtina është për ndihmë, ai kërkon nga gjithë vullnetmirët që t’i ndihmojnë për ndërtimin e një shtëpie. /kp