I shumëkërkuari me 10 emra, i vetëdorëzohet Policisë shqiptare Kreshnik Farruku
I shumëkërkuari Kreshnik Farruku është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit. Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë si Kreshnik Farruku. Kujtojmë se në muajin maj të vitit 2019 ai është arrestuar në Spanjë, së bashku me…
Lajme
I shumëkërkuari Kreshnik Farruku është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit.
Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë si Kreshnik Farruku.
Kujtojmë se në muajin maj të vitit 2019 ai është arrestuar në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit.
Budlla u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje nga policia, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje po në Spanjë. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.
Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me shtatë anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë me 20 kg kokainë që po përpiqej ta trafikonte në Itali me makinë. Pas prangosjes së tij, ishte vëllai më i vogël, Erniu, që mori udhëheqjen e grupit, por u arrestua dy vjet më vonë në vitin 2012. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu ndërkohë që vijoi që të merrej me trafikun e drogës, derisa u arrestua në vitin 2019, shkruan A2 CNN.
Në vitin 2015 Kreshnik Farrukut iu bë një atentat në Shqipëri. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur është qëlluar me armë në zonën e “Don Boskos”, ndërsa u plagos një kalimtare. Pista asokohe lidhej me prishjen e pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.
Ndërkohë që në vitin 2012 Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuri të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të tij. Sipas Prokurorisë këto pasuri dyshohej se ishin krijuar nga aktivitetet e paligjshme të tij dhe përdoreshin nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai të cilit iu bë një atentat në 2014 në Manëz), banues në Shijak të Durrësit.
Nga hetimet rezultoi se Reshit dhe Roland Farruku kishin blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kishin një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë që u sekuestruan.
Ndërkohë deri më tani nuk ka detaje shtesë mbi vetëdorëzimin e tij në Polici, por në vijim pritet të zbulohet se çfarë e shtyu atë drejt këtij vendimi.