I riu në Lipjan u vra nga shoku më i ngushtë

Një kiosk i fshatit ishte pikëtakimi i dy të rinjve nga Shala e Lipjanit, tash e sa vjet. Mirëpo, pasditen e së shtunës, me t’u kthyer nga testi i maturës, Valmir Drenica, 18-vjeçar, u vra nga plumbi i vetëm që gjendej në revolen e babait të shokut të tij më të ngushtë, Kamer Shalës, i cili tani po mbahet në polici.

Lajme

30/08/2014 20:58

Ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga plumbi i revoles dhe ka vdekur në QKUK. Familjarët e viktimës thonë se asnjëherë nuk e kishin pritur një ngjarje të tillë, pasi ata kurrë nuk kishin pasur probleme, raporton KTV. 

Njëjtë thonë edhe bashkëfshatarë të shumtë, të cilët kanë ngushëlluar familjen Drenica. Edhe anëtarë të familjes Shala e thonë të njëjtën gjë dhe ndiejnë dhimbje për vdekjen e Valmirit. 

Ndërkohë, në polici kanë theksuar se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje. Njësiti policor në vendin e ngjarjes kishte gjetur dhe kishte konfiskuar revolen, prodhim “Çekosllovak”, trembëdhjetë fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator dhe një gëzhojë. Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.