I mori 322 mijë euro nga MKRS, kandidatja për deputete e VV-së thotë se e “provoi fatin”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bërë një “derë” për të përfituar fonde nga përkrahësit e partisë dhe të afërm të tyre. Njëjtë, ka përfituar edhe kandidatja për deputete në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, nga lista e VV-së, saktësisht nga partia e Alternativës, Hasime Tahiri Hasani. 322 mijë euro i ka përfituar…

Lajme

19/08/2025 21:44

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bërë një “derë” për të përfituar fonde nga përkrahësit e partisë dhe të afërm të tyre.

Njëjtë, ka përfituar edhe kandidatja për deputete në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, nga lista e VV-së, saktësisht nga partia e Alternativës, Hasime Tahiri Hasani.

322 mijë euro i ka përfituar ajo përmes organizatës të cilën e udhëheq, “Mundësia” .

Siç ka raportuar “VOX Kosova”, bazuar në Raportin vjetor për mbështetjen financiare publike për organizatat joqeveritare, në vitin 2021, Mundësia mori 12 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 25 mijë nga Zyra e Kryeministrit.

Referuar të njëjtit dokument, në vitin 2022 kjo organizatë mori nga MKRS-ja 30 mijë euro.

Në vitin 2023, Mundësia përfitoi një buxhet që plot organizata të tjera mund vetëm ta ëndërrojnë. Nga Ministria që e drejton Hajrullah Çeku, OJQ-së së ish kandidates së VV-së, për një projekt të titulluar “Funksionalizimi i Kompleksit Memorial “Isa Boletini”, iu ndanë 135 mijë euro për tre vite radhazi.

35 mijë euro për vitin 2023, e 100 mijë për vitet pasuese – 2024 e 2025.

Për vitet 2025, 2026 dhe 2027, organizatës së saj iu ndanë 120 mijë euro të tjera, nga 40 mijë për secilin vit.

Nga MKRS nuk kanë dhënë përgjigje nëse kjo organizatë kishte mbyllur raportet e projekteve të mëhershme.

Zonja Hasime Tahiri Hasani e mohon përfshirjen e saj me Vetëvendosjen si faktor që ajo të përfitojë projekte në vlera të konsiderueshme.

“Nuk ka të bëjë kjo hiq, unë në atë e kam marrë ftesën edhe e kam provu fatin se nuk kam qenë aktive kurrë në politikë”, tha ajo.