I meritojmë ulëset e rezervuara

Nenad Rasic thotë se vazhdimi i ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë do të thotë më shumë mundësi për integrim të tyre në shoqërinë kosovare. Thotë se pakicat i meritojnë këto ulëse, pasi ato ishin konstruktive në të gjitha proceset.

Lajme

17/12/2013 09:41

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, thotë se komunitetet pakicë meritojnë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, të paktën edhe për një kohë.

Rasic, i cili drejton subjektin politik “Ardhmëria e Përbashkët”, thotë për lajmi.net se beson në arritjen e një konsensusi i cili do të garantonte vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Rasic e pranon se dje nuk kishte pajtim për këtë, në takimin e liderëve politikë, të mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ian Cliff.

Por, thotë se atmosfera e takimi ishte konstruktive.

“Kemi biseduar për të gjitha çështjet aktuale dhe kemi pasur një debat konstruktiv por, nuk kemi vendosur për asgjë lidhur me temat që janë diskutuar”.

“Takimet do të vazhdojnë”.

“Unë besoj se të gjitha partitë do të pranojnë sugjerimet të cilat i kemi prezantuar ne dhe do të jenë dakord që të ketë mundësi shtesë për integrim të Veriut në shoqërinë kosovare”.

Nenad Rasic thotë se vazhdimi i ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë do të thotë më shumë mundësi për integrim të tyre në shoqërinë kosovare.

“Jo vetëm serbët, por të gjithë komunitetet në Parlament kanë qenë konstruktive. Vetëm t’ju kujtojë që në votimin për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur, të gjitha komunitetet kanë qenë ‘për’ dhe kjo tregon se ata kanë nevojë për pjesëmarrje shtesë”.

“Me ulëset e rezervuara për komunitete nuk do të thotë që do të ketë ndonjë problem pasi ato përveç komunitetit serb do t’u garantohen edhe komuniteteve tjera si atij turk, RAE, boshnjak, që do të thotë se të gjitha këto komunitete do të përfitojnë”.

“ E unë jam i bindur se me këtë më së shumti fiton Kosova dhe jo ndonjë komunitet i posaçëm”.

Rasic e përshkruan si të mirë atmosferën në të cilën është zhvilluar takimi i djeshëm për reformën zgjedhore. Ai pret që përfaqësuesit e të gjitha partive t’i konsiderojnë argumentet e tyre për vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

“Atmosfera si zakonisht ka qenë shoqërore, të gjithë politikanët kanë qenë konstruktiv”.

“Besoj se kemi të gjitha arsyet që ta shtyjmë përpara këtë ide”.

“Nuk e shoh asnjë arsye që të mos aprovohet kjo kërkesë”.

Ambasadorja Amerikane, dje, duke hyrë në Rezidencën e homologut të saj britanik, ku u mbajt takimi i liderëve për reformën.

 

Ndryshe në takimin e djeshëm për reformën zgjedhore përfaqësuesit e partive politike nuk kanë arritur t’i finalizojnë të gjitha çështjet e hapura.

Ndër çështjet kryesore që ka mbetur e pambyllur është ajo e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë takim LDK është shprehur kundër vendeve të rezervuara në takim, përderisa për vazhdimin edhe për një mandat të tyre thuhet se janë shprehur PDK, AKR, AAK dhe minoritetet.