“I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe as raste të dhunës në familje” Prokuroria në Gjilan deklarohet për rastin ku babai vrau djalin

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit. Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur…

Lajme

12/10/2026 10:58

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit.

Prokuroria bëri të ditur se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).

“Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante Policore, si dhe Prokurori i Shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar  3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se i dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati.

“Prokurori i shtetit, ka lëshuar Urdhëresën për Autopsi të trupit të pajetë të viktimës.

I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike./Lajmi.net/