I dha futbollit një nga legjendat më të mëdha të sportit, skauti që zbuloi Ronaldon jeton sot në varfëri ekstreme

Një histori e dhimbshme vjen nga Brazili. Fernando dos Santos Carvalho, njeriu që i dha shansin e parë Ronaldo Nazarios, i njohur në mbarë botën si “R9” apo “Fenomeni”, jeton sot në kushte ekstreme varfërie, i pastrehë dhe i sëmurë, ndërsa ish-lojtari i tij është kthyer në një nga ikonat më të mëdha të historisë…

Sport

22/07/2025 14:17

Një histori e dhimbshme vjen nga Brazili.

Fernando dos Santos Carvalho, njeriu që i dha shansin e parë Ronaldo Nazarios, i njohur në mbarë botën si “R9” apo “Fenomeni”, jeton sot në kushte ekstreme varfërie, i pastrehë dhe i sëmurë, ndërsa ish-lojtari i tij është kthyer në një nga ikonat më të mëdha të historisë së futbollit.

Në vitin 1985, Ronaldo ishte thjesht një djalosh 9-vjeçar anonim, por Carvalho – atëherë një skaut i ri në të njëzetat – pa diçka të veçantë tek ai. Ai i dha mundësinë e parë për të luajtur në disa miqësore, duke i hapur rrugën drejt futbollit profesionist, shkruajnë mediat italiane.

Ronaldo do të shkëlqente më pas te PSV, Barcelona, Interi, Reali e deri tek Kombëtarja e Brazilit, ku u kurorëzua dy herë kampion bote.

Por për Carvalhon, rruga ishte ndryshe. Ai rrëfen se nëna e Ronaldos kishte dyshime për udhëtimet, por ai mori përgjegjësinë të kujdesej personalisht për të.

“E merrja vetë, e çoja në stërvitje, e sillja në shtëpi”, thotë ai. Ronaldo duhej të transferohej te Flamengo, por familja nuk mund të paguante. Falë ndërhyrjes së legjendës Jairzinho, ai përfundoi te Cruzeiro dhe më pas në Evropë.

Sot, 58-vjeçari Carvalho jeton pa shtëpi, në varfëri ekstreme, ndërsa kërkon njëfarë mirënjohjeje. “U përpoqa ta takoj në São Paulo, mora autobus për atje, por më refuzoi. Nuk kishte kohë për mua,” thotë ai. Ka dërguar mesazhe dhe ka kontaktuar edhe me miq të Ronaldos, përfshirë menaxherin e restoranteve të tij, por pa përgjigje.

Një histori që vë në pah kontrastin mes famës dhe harresës, suksesit dhe vuajtjes, dhe mbi të gjitha – një mungesë të thellë mirënjohjeje.