I arrestuari për grabitjen e argjendarisë në Suharekë, Korab Gashi ishte në arrati nga nëntori i vitit të kaluar

Një grabitje e armatosur që kishte ndodhur në Suharekë nëntorin e vitit të kaluar pati trazuar gjithë vendin. Nën kërcënimin e armëve, të dyshuarit kishin arritur që të kryenin një grabitje tejet të madhe. Sipas të dhënave të para vlera e arit që u grabit në atë argjendari ishte rreth 250 mijë euro. Argjendaria “Diakos”…

Lajme

02/07/2024 08:36

Një grabitje e armatosur që kishte ndodhur në Suharekë nëntorin e vitit të kaluar pati trazuar gjithë vendin.

Nën kërcënimin e armëve, të dyshuarit kishin arritur që të kryenin një grabitje tejet të madhe. Sipas të dhënave të para vlera e arit që u grabit në atë argjendari ishte rreth 250 mijë euro.

Argjendaria “Diakos” që gjendet në qendër të Suharekës, u grabit nga katër persona të cilët në mënyrë të maskuar e të armatosur kishin hyrë dhe kishin arritur që të grabisnin një pjesë të madhe të arit që gjendej në lokal.Gjatë kohës sa ishte duke u kryer grabitja e armatosur në vendin e ngjarjes pas marrjes së një informacioni kishte shkuar një ekip e policisë e cila u sulmua, e një zyrtar policor ishte plagosur.

Për shkak të sulmit ndaj policisë, ekipet e njësisë së qenve K9 por edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese u panë në vendin e ngjarjes.Madje në po të njëjtën natë u aktivizua edhe “unaza e çeliktë” e cila kishte për qëllim vendosjen e njësive policore në pika të ndryshme për të kontrolluar për veturën dhe të dyshuarit.

Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka vënë nën pranga mbrëmë njërin nga të dyshuarit kyç në këtë rast, Korab Gashi.

“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gashi ishte në arrati që nga 22 nëntor 2023.

Policia e kishte vënë emrin e Korab Zeqir Gashit në kërkim prej shumë kohësh, por që i njëjti vazhdoi të qëndronte në arrati për disa muaj.

Policia e Kosovës me 13 dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë që ndodhi më 22 nëntor i cili ende është në arrati.

“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e Grabitjes së Armatosur dhe Plagosjes së Zyrtarit Policor, ndodhur me datë 22.11.2023 në argjendarin në Suharekë. Lidhur më këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë. Personi i cili po kërkohet është Korab Zeqir Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë me nr personal 1014599319. Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë, nga Policia të arrestuar janë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, ndërsa Trim Baraku i arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, Dukagjin Gashi kishte mbetur i vrarë gjatë një aksioni të policisë për t’i arrestuar të dyshuarit. Dukagjin Gashi ndryshe ishte edhe vëllai i tashmë të arrestuarit Korab Gashi.

I lartpërmenduri, Korab Gashi ishte emër i njohur për Policinë e Kosovës edhe më herët.

Ai kishte vepra të tilla edhe më parë.

Në vitin 2003 ai ka qenë në paraburgim për vjedhje të rëndë, ndërsa katër vite më pas ishte dënuar për të njëjtën vepër penale./Lajmi.net/