I akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit në Drenas pranon fajësinë, Prokuroria kërkon dënim me 5 vjet burgim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, i akuzuari D.Z., ka pranuar fajësinë për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci. Pranimin e fajësisë, i akuzuari Z., e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Avni Namani. Pasi që i akuzuari Z., pranoi fajësinë dhe pas marrjes…

Lajme

17/11/2025 20:36

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, i akuzuari D.Z., ka pranuar fajësinë për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

Pranimin e fajësisë, i akuzuari Z., e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Avni Namani.

Pasi që i akuzuari Z., pranoi fajësinë dhe pas marrjes së mendimit nga prokurori, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Shefqet Baleci, avokati Ibrahim Dobruna dhe mbrojtësi i të akuzuarit Z., avokati Ibrahim Shala, gjyqtarja e rastit Valbonë Përlaska mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Më pas, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Namani ndër të tjera propozoi që me rastin e caktimin të dënimit, Gjykata të ketë parasysh rrethanat rënduese në këtë rast, shkallën e lartë të dashjes dhe planifikimit të veprës, kurse si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë.

“Prokuroia i propozon Gjykatës që ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim unik me pesë vite burgim, pasi vetëm me një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i dënimit. Një dënim më i butë se ky do të ishte inkurajim për personat tjerë që të vazhdojnë me kryerjen e veprave penale ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit”, tha prokurori Namani.

Fjalën e prokurorit e ka përkrahur edhe avokati Dobruna, i cili ndër të tjera tha se veprimet e të akuzuarit kanë qenë të planifikuara dhe të qëllimshme.

“Se veprimet e të akuzuarit kanë qenë të planifikuara dhe të qëllimshme shihet ngase i njëjti ka ndarë dhe zgjedh kohën e përshtatshme duke e njohur shtegun dhe kohën e shtëtitjes së palës së dëmtuar së bashku me bashkëshorten e tij, e ka ndjekur nga pas të njëjtin dhe duke marrë veprime kundërligjore të sulmit fizik me përdorim të thikës ndaj të dëmtuarit me qëllim hakmarrës”, tha avokati Dobruna.

Ndërsa, avokati Shala deklaroi se në këtë rast duhet të merret parasysh se në rastin konkret të asaj mbrëmje mungon pasoja, kështu duke kërkuar nga Gjykata që i mbrojturi i tij të dënohet me një dënim të kushtëzuar.

“Propozoj që ndaj të mbrojturit tim të shpallet një vendim i kushtëzuar që nëse e përsëritë, ajo të zbatohet”, tha avokati Shala.

Po ashtu, gjyqtarja Përlaska në këtë seancë refuzoi propozimin e mbrojtjes që të ndërpritet masa e paraburgimit për të akuzuarin Z., me arsyetimin se lidhur me këtë çështje do të vendoset me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par.2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Z., në vazhdimësi më 27 dhjetor 2022, brenda Gjykatës në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të gjyqtarit Baleci, për shkak të veprimeve zyrtare të këtij të fundit lidhur me nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv dhe iu ka vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, i pandehuri ka hyrë në seancën e shqyrtimit fillestar, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ju ka kanosur seriozisht gjyqtarit duke iu drejtuar me fjalët “Hajt se të kallxoj ty sa të dal nga burgu”, me çka të dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Në aktakuzë thuhet se në kohën, datën dhe vendin e njëjtë si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në lidhje me detyrën zyrtare të të dëmtuarit Shefqet Baleci, për shkak të aktgjykimit me të cilin është dënuar me 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë, ka kanosur gjyqtarin me fjalët “Hajt se masi je me gru nuk po të nguci se kur të nxa vetëm kam me ta hjek kryte”, me çka te dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Për këtë, Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” në vazhdimësi nga neni 181, par. 3 lidhur me par.2 dhe lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.  /BetimipërDrejtësi