I akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri mbrohet në heshtje

Nuredin Sylejmani, i cili po akuzohet për kryerjen e veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” është mbrojtur në heshtje në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Lajme

30/03/2021 16:49

Ai po akuzohet se në mars të vitit 2013, përmes Turqisë kishte shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishte takuar edhe me shqiptarë të tjerë, me të cilët edhe kishte kryer ushtrime ushtarake me qellim që pastaj të kthehen në luftime për organizatën terroriste, Al Nusra, e njohur më vonë edhe si  ISIS.

Mirëpo, këtë akuzë, i pandehuri Sylejmani e ka mohuar në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 4 shtator 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance janë administruar provat materiale, katër prej të cilave u kundërshtuan nga mbrojtësi i të akuzuarit Sylejmani, avokati Asdren Bytyqi.

“Kundërshtoj administrimin e katër provave, dhe atë, listën e personave të kërkuar, dëshminë e dëshmitarit Hamza Hyseni i cili është i bashkëpandehur në aktakuzë, por që ndaj tij është pezulluar hetimi dhe dy procesverbalet, njëra e datës 16.01.2018 dhe 20.02.2018. Mbrojtja nuk ka pasur mundësi që të kundërshtoj dhe të ballafaqohet me këtë të pandehur në procedurë paraprake, andaj i propozoj gjykatës që këto prova t’i konsideroj si prova të papranueshme edhe për faktin se në seancën e shqyrtimit fillestar, pas kërkesës për sqarim nga mbrojtja tek prokuroria, prokurorja ka deklaruar se provat që kanë të bëjnë me të bashkëpandehurin Hamza Hyseni janë të veçuara dhe si të tilla, përderisa nuk mund të sigurohet prezenca e tij në këtë çështje, nuk do të përdoren ndaj të mbrojturit tim”, deklaroi avokati Bytyqi.

Ky kundërshtim u aprovua pjesërisht nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.

“Aprovohet pjesërisht kundërshtimi i mbrojtjes. Hamza Hyseni ka dhënë dëshmi edhe si dëshmitar dhe si i bashkëpandehur. Deklaratat që i ka dhënë si i pandehur nuk do të administrohen si provë ndërsa ato si dëshmitar gjykata do t’i administroj për faktin se nuk është provë e vetme”, tha Kurtaj.

Lidhur me transkriptimet e bisedave telefonike, prokurorja Fikrije Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që të mos administrohen si prova, i cili propozim u aprovua nga gjykatësi Kurtaj.

Prokurorja Fejzullahu ka bërë edhe përmirësimin e provës – fotografitë, për të cilat, fillimisht ishte konstatuar se të njëjtat janë siguruar nga FBI (Federal Bureau of Investigation).

“Prokuroria bën përmirësimin ashtu që në vend se të thuhet se janë siguruar nga FBI duhet të jetë se fotografitë për të cilat propozohet administrimi i tyre janë siguruar nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike të konfiskuara nga Nuredin Sylejmani”, shtoi ajo.

Po ashtu, gjykatësi Kurtaj ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes sipas së cilës, çështja për të cilën akuzohet i pandehuri Sylejmani është çështje e gjykuar.

“Nga përshkrimi faktik në aktin akuzues i cili është objekt i shqyrtimit në këtë çështje penale dhe në aktin akuzues nuk kemi të bëjmë me të njëjtën vepër penale dhe të njëjtin përshkrim faktik. Po ashtu, mbrojtja këtë pretendim e ka potencuar edhe në kërkesën për hedhjen e aktin akuzues e ku gjykata e shkallës së parë ia ka refuzuar këtë propozim me rastin e vendosjes lidhur me këtë kërkesë dhe i njëjti vendim ka mbetur në fuqi sipas vendimit të gjykatës së apelit dhe Gjykata e Apelit e ka shqyrtuar ankesën e mbrojtjes me pretendimin e theksuar ku është refuzuar ankesa dhe vendimi i shkallës së parë ka mbetur në fuqi”, shtoi Kurtaj.

Seanca e radhës është caktuar më 21 prill 2021, në ora 13:30, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Nuredin Sylejmani, me qëllim të bashkëngjitjes në organizata terroriste, në mars të vitit 2013, me dashje dhe vetëdije të plotë ishte larguar nga Kosova për në Stamboll të Turqisë bashkë me të dyshuarin Hamza Hyseni, i cili gjendet në arrati si dhe disa persona tjerë.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kishin shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishin takuar edhe me shqiptarë të tjerë dhe të gjithë kishin filluar ushtrimet ushtarake me qëllim që të kthehen në luftime në kuadër të organizatës terroriste Al Nusra e cila më vonë, siç theksohet në aktakuzë, ishte njohur si “ISIS” dhe e cila ishte shpallur organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23 mars 2013 i akuzuari ishte kthyer në Kosovë ndërsa të gjitha shpenzimet e udhëtimi për vete dhe për të tjerët, i kishte mbuluar vet i akuzuari.

Me këtë, PSRK e ngarkon Sylejmanin se ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Sylejmani ishte dënuar me gjashtë vjet burgim e 1800 euro gjobë për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe për sulm ndaj dy shtetaseve amerikane në një rast tjetër ku akuzohej nga PSRK. Këtë dënim të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Në po të njëjtin rast, Sylejmani akuzohej edhe për lehtësim në kryerjen e veprave terroriste, mirëpo, pasi fillimisht ishte liruar nga kjo akuzë nga shkalla e parë, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Apeli pas ankesës së PSRK-së.