I akuzuari për krime lufte Pantiq: Shpëtova mijëra shqiptarë më ’98/99

I akuzuari për krime lufte, Momir Pantiq deklaroi të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë që e vetmja gjë që ka bërë është kompromisi me 140 civilë shqiptarë, për të mos e vrarë njëri-tjetrin. Në këtë rast, Momir Pantiq në cilësinë e ish-kryeshefit të stacionit policor në Istog dhe Zharko Zariq si ish-polic, akuzohen për…

Lajme

22/05/2025 15:30

I akuzuari për krime lufte, Momir Pantiq deklaroi të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë që e vetmja gjë që ka bërë është kompromisi me 140 civilë shqiptarë, për të mos e vrarë njëri-tjetrin.

Në këtë rast, Momir Pantiq në cilësinë e ish-kryeshefit të stacionit policor në Istog dhe Zharko Zariq si ish-polic, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile.

“Edhe moralisht edhe penalisht, prapë po ju them unë jam përgjegjës ndaj asaj që i kam shpëtuar mijëra njerëz shqiptarë më ‘98-‘99. E vetmja gjë që kam bërë, kompromisi me 140 shqiptarë. Jam marrë vesh që mos të vrasim njëri-tjerin”, tha Pantiq.

Ai shtoi që gjatë kohës së luftës i ka shpëtuar 250 shqiptarë dhe 300 të tjerë i ka shpërngulur në Zllakuqan.

“Gjatë kohës së luftës kam pasur mosmarrëveshje me kryetarin e Komunës dhe një pjesë të ushtrisë sepse 250 shqiptarë i kemi shpëtuar dhe i kemi kthyer nga rruga duke shkuar në Shqipëri. Dhe më shumë se 300 shqiptarë të besimit katolik i kam shpërngulur nga Gjurakoci për në Zllakuqan”, tha ai.

Po ashtu, i akuzuari theksoi që në vitin 2006 ka dhënë një dëshmi në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, për të cilën ka nënshkruar një vendim që nuk i lejohet që të deklarojë askund për të.

“Më 21.03.2006 e kam dhënë deklaratën para hetuesve të Tribunalit të Hagës në lidhje me ngjarjen. Unë jam liruar nga ata nga çdo përgjegjësi dhe më kanë thënë se në situata të caktuara që mund të ndodh unë këtë deklaratën që e kam dhënë tek ta nuk mund ta përsëris askund. Nëse prokurori insiston, atëherë kërkoj që të më lëshohet vërtetim nga Tribunali i Hagës që më lejon që të flas për këtë çështje”, shtoi ai.

Në këtë seancë u dhanë edhe fjalët hyrëse nga palët në procedurë, ku prokurori special, Ilir Morina tha që në këtë gjykim do të kërkohet drejtësi për banorët e Komunës së Istogut.

Ai tha që të pandehurit në cilësi të udhëheqësve policorë, kanë marrë pjesë në vrasjen e 250 civilëve dhe si mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

“Gjatë këtij gjykimi do të dëshmohet se si rezultat i veprimeve të të pandehurve në Komunën e Istogut, u vranë mbi 250 civilë, gra dhe fëmijë, u dogjën dhe u rrafshuan 5 mijë shtëpi, u dëbuan me forcë mijëra civilë nën kërcënimin e vdekjes. Dy të pandehurit që qëndrojnë këtu akuzohen për udhëheqje dhe pjesëmarrje aktive në një fushatë terrori ndaj popullsisë shqiptare”, tha Morina.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Momir Pantiq, avokati Nebojsha Vllajiq, tha që prokurori nuk do të arrijë që të vërtetojë fajësinë e të mbrojturit të tij.

“Drejtësi nuk është dhënie e shprese të rrejshme të dëmtuarve se do të shërohen plagët apo dhimbjet e tyre. Drejtësi nuk është t’i ndjekim njerëzit që nuk janë përgjegjës. Unë e di që Pantiq ndjen me të tjerët në këtë procedurë. Prokurori do të duhej të vërtetonte që ai e bart përgjegjësinë për këtë, dhe jam i sigurt që nuk do të ketë sukses”, tha Vllajiq.

Ai tha po ashtu që Pantiq gjatë kohës së luftës ka ndihmuar qindra shqiptarë të cilët i kanë kërkuar ndihmë dhe kjo do të dëshmohet edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Zariq, avokati Dejan Vasiq, tha që i mbrojturi i tij para 10 viteve është kthyer në fshatin e tij dhe ka jetuar në mesin e dëshmitarëve që janë të propozuar nga Prokuroria.

“Ai tërë këto vite ka jetuar në mesin e këtyre qytetarëve- dëshmitarëve të cilët do të dëgjohen këtu dhe do të japin dëshminë e tyre. Ai në mesin e tyre ka jetuar me respekt të madh dhe respektimin e tij nga ata dhe respektimi i tyre ndaj tij. Dhe këtë gjë që ka thënë prokurori se me dëgjimin e dëshmitarëve do të vërtetohet se çfarë ka bërë Zariqi në kohë lufte, mendoj se do të vërtetohet e kundërta”, tha Vasiq.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut. /BetimipërDrejtësi