Hyn në fuqi masa tregtare ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Lajme

06/11/2018 17:34

Kjo masë ka hyrë në fuqi menjëherë nga Qeverisa e Kosovës. Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësi i ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Elhami Ismajli.

“Mund t’iu konfirmoj se vendimi për masë 10 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka hyrë në fuqi menjëherë. Janë një mori produktesh që janë në këtë listë, por duhet të theksojmë se masa nuk vlen për brendet ndërkombëtare, por vetëm për ato produkte që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Ismajli.

Kujtojmë, se në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen në këto dy shtete.

Shala tha se nga kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Lajmi.net/