Hyn në fuqi ligji: Kush është larguar nga Policia e Shtetit, nuk rikthehet më
Asnjë efektiv policie i liruar nga detyra për shkak të shkurtimit të funksionit ose me dëshirën e tij kur ka kaluar një periudhë kohore prej dy vitesh nuk mund të rikthehet më në radhët e uniformave blu.
Lajme
Ligji 108 i vitit 2014 ka hyrë në fuqi dhe kjo pikë parashikohet edhe në ndryshimet e fundit që ju bënë sërish ligjit gjatë muajit mars të këtij viti. Por për ish-drejtuesit e policisë, ky nen është anti-kushtetues dhe duhet ndërmarrë një nismë ligjore për ankimimin e tij.
“Mendoj që edhe politikisht duhet të ndërhyhet. Kjo pikë e nenit e ligjit të Policisë së Shtetit të shfuqizohet sepse nuk është normale që t’ia ndërpresësh karrierën një personi me ligj. Minimalisht janë 700 persona që janë liruar me këtë lloj motivacioni”, shprehet Arben Hajdarmataj, ish-drejtues policie.
Edhe sindikata e policisë, e kontaktuar nga Top Channel, thotë se po përgatit dokumentacionin për të ankimuar një padi në gjykatën Kushtetuese, pasi ky nen bie ndesh me parimet europiane të të drejtave të njeriut.
Sipas sindikatës, problem mbetet edhe zbatimi i vendimeve të gjykatave për rikthimet në detyrë. /Top Channel/