Huqja e Jakup Krasniqit

Kryeparlamentari ka bërë një postim në Facebook, në të cilin u mor me bashkëluftëtarët e tij. I fajësoi \"komandantët\" për një “shkrim që NYT i ka bërë Kosovës”. Por, ai huqi esencën. Ndërtoi kritikën mbi një tekst që në fakt NUK EKZISTON në NYT për Kosovën.

Lajme

16/09/2013 16:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vazhduar me kritikat e tij.

Ai sot është marrë me bashkëluftëtarët nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilëve epitetin “komandantë” ua ka vënë në thonjëza.

Krasniqi ka gjetur dhe postuar një “shkrim”, i cili qarkullon në Facebook, si tekst i “një gazetari amerikan të New York Times”.

Ky “shkrim”, i cili është kritik, në të vërtetë, NUK EKZISTON në prestigjiozen amerikane The New York Times për Kosovën.

Ai është një trillim, të cilit i ndërrohet vetëm adresa e dedikimit. I njëjti “tekst” është përdorur për të kritikuar gjendjen në Maqedoni e Bosnje. E në Kosovë, ka kohë që ai shpërndahet përmes rrjetit social Facebook.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duket se është “viktima” e radhës e këtij “teksti”.

“Qe si e sheh gazeta prestigjioze amerikane Kosovën. Kush duhet të na ndryshojë këtë gjendje? Një gjë dihet, këtu na sollën muskujt, padrejtësia shoqërore dhe babëzia. Pse jo edhe mungesa e guximit para arrogancës se ‘komandantëve’. Ka ardhur koha që arrogancës t’ia tregojmë vendin”, ka shkruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës në profilin e tij në Facebook.

Ky është “teksti” i shpërndarë nga Kryeparlamentari Krasniqi në FB:

[quote style=’1′ cite=”]Ekziston një vend në Ballkan i cili kufizohet me vetveten. Ku të papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë, dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku tetë-orëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetësia është pa pagesë ndërsa shërimi i shtrenjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Ku sekretet shtetërore janë publike. Aty ku historia përsëritet çdo ditë. Ku më të pasurit janë njerëzit të cilët kurrë nuk kanë punuar. Aty ku përdorët valuta e huaj. Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur, dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse stagnon gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm, dhe punësohen të përshtatshmit e jo të aftët. Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar.[/quote]