Humbja e besimit në politikën kosovare
Programet parazgjedhore po ndërtohen nga pritjet dhe dëshirat e qytetarëve, duke lënë menjanë potencialin real për jetësimin e tyre brenda një periudhe qeverisëse katërvjeçare.
Opinion
Nëse një ekuacion politik i ka, për shembull, tri të panjohura, ne jemi të prirë për ta thënë zgjidhjen e tij pasiqë kemi zbardhë vetëm njërën të panjohur. Ngarendim t’i bëjmë konkludimet universale politike, edhe nëse shumëçka nga faktet dhe dituritë që i kemi, ka vlerë relative dhe gjithsesi kalimtare. Nuk kemi fort durim dhe gatishmëri që dukuritë politike t’i analizojmë në gjithë ndërlikueshmërinë e tyre. Thuaja gjithmonë mendojmë që gjërat janë fare të thjeshta në këtë politikën tonë, e cila, realisht, si kudo në Botë, po merr përmasa që janë vështirë të përshkrueshme me atë ‘aparatin’ konceptual që kemi në dispozicion për njohjen e saj. Zatën, një herë Brexit-i e pastaj edhe fitorja e Donald Trump-it në SHBA, si thuhet, kanë rrëzuar për toke kapacitetin e përshkrimit dhe të parashikimit të fenomeneve kryesore politike në Perëndim.
Sidoqoftë, pas zgjedhjeve për Kryetarin e ri të Drenasit të dielen e shkuar, me 4 dhjetor, përjetuam një shumësi shpjegimesh politike të cilat paralajmërojnë një reflektim plotësisht të përputhshëm të ndryshimeve evidente në rezultatin zgjedhor në këtë komunë, në përmasat e të gjithë vendit. Drenasi përbën vetëm një të panjohur nga ai ekuacioni politik i përmendur më lartë, por kjo mjafton që me të shpejtë të mbërrijmë në përfundimet që janë gjithsesi të hershme sa i përket raportit të forcave në këtë skenën politike të vendit.
Megjithatë, Drenasi mund të jetë një shembull interesant dhe goxha i qëndrueshëm për disa elemente të rëndësishme, të cilat me gjasë do të shfaqen në gjithë vendin, si në nivelin lokal të zgjedhjeve, ashtu edhe në ato në shkallë të zgjedhjeve të përgjithshme.
Së pari, kësaj here në Drenas u shënua dalja më e ulët në zgjedhjet për Kryetarin e komunës, apo për qeverisjen lokale, që nga ato zgjedhjet e para të vitit 2000. Në zgjedhjet e para për pushtetin komunal, të mbajtur në kohën e UNMIK-ut, mbi 60% të qytetarëve me të drejtë vote shprehën vullnetin e tyre, ndërsa kësaj here, ky numër ishte vetëm 41%.
Drenasi në këtë aspekt assesi nuk përbën përjashtim. Me siguri që edhe në nivel të vendit, përqindja e atyre që do të votojnë do të vazhdoj të bie.
Mbi të gjitha, vullneti politik për të marrë pjesë në zgjedhje, po humbë vlerën e tij pas çdo cikli zgjedhor, për shkak të shpërputhjes evidente midis ofertës politike të entiteteve dhe politikanëve kryesorë të vendit, dhe rezultateve që po mbërrihen në qeverisjen lokale dhe qendrore.
Rëndom, programet parazgjedhore po ndërtohen nga pritjet dhe dëshirat e qytetarëve, duke lënë menjanë potencialin real për jetësimin e tyre brenda një periudhe qeverisëse katërvjeçare.
Kjo greminë midis mundësive reale dhe kërkesave të qytetarëve, dhe ofertave të politikanëve, pastaj mbushet me humbje të besimit të qytetarëve të vendit që këndejpari mund të ketë politikë që mundëson ndryshimin real të gjendjes sociale dhe ekonomike.
Së dyti, mësimi që mund të nxirret nga rasti i Drenasit është që vështirë do të jetë për këdoqoftë të mobilizojë votën duke bërë premtime për investime të mëdha ekonomike, të cilat qysh në shikim të parë duken krejtësisht të paqëndrueshme. Zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014, së pari në nivelin lokal e pastaj edhe në atë të Kosovës, u karakterizuan, për të mirë këtu duhet shtuar, me synimin e të gjitha entiteteve pjesëmarrëse në zgjedhje për tu përqëndruar në temat sociale dhe ekonomike, sepse u kuptua që këtu është interesi kryesor i të gjithë qytetarëve. Por prej atëherë, gjërat kanë ndryshuar goxha shumë në këtë politikën vendore. Kjo politikë është mbizotëruar, thuaja në tërësi, nga temat e Dermarkacionit dhe Asociacionit, të cilat nuk dalin që janë fare prioritete tek qytetarët e rëndomtë të vendit, në secilin hulumtim që është bërë tash e një vit.
Kemi pra një shpërputhje të madhe në mes të nervit të qytetarit dhe disponimit të politikanit në Kosovë.
Së treti, jemi dëshmitarë të devalvimit të cilësisë politike në vend, të personalizimit të skajshëm të saj, të mësymjes për ta reduktuar atë në një konflikt të vazhdueshëm që nuk njeh kurfarë parimi dhe asfarë programi, pos emrat e përveçëm të kësaj politike.
Kur të bëhen bashkë këto tipare tashmë të konfirmuara të politikës kosovare, vështirë që mund të pritet ndonjë kërcim kualitativ në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare. Por rrugë tjetër të ndryshimit të gjendjes në vend pos zgjedhjeve, nuk ka. Tek e mbrama.