Hulumtohet varreza e dyshuar masive

Alan Robinson, shef i ekspertëve të EULEX’it të mjekësisë ligjore thotë se hetuesit janë të interesuar për tre lokacione të dyshuara.

Lajme

17/10/2013 11:31

Ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX’it dhe autoritetet serbe filluan sot hulumtimin e një lokacioni për të cilin dyshohet të ketë një varrezë masive që daton nga koha e konfliktit në Kosovë.

Ky lokacion gjendet në gurëthyesin e Rudnicës në brendi të Serbisë.

Hulumtimi ka filluar në prani të autoriteteve serbe, komisioneve qeveritare të Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe përfaqësueseve të UNMIK-ut.

“Secila fazë do të përfshijë lokacionin ku do të bëhet gërmimi. Në veçanti jemi të interesuar për tre lokacione”, ka thënë Alan Robinson, shef i ekspertëve të EULEX’it të mjekësisë ligjore.

“Për fazën e parë, ne i kemi dhënë prioritet një lokacioni që konsiderohet më i rëndësishëm. Nëse rezultati do jetë negativ, ne pastaj do të vazhdojmë me fazën e dytë, varësisht prej motit. Përndryshe, faza e dytë do të fillojë në pranverë të vitit 2014. Nëse do të paraqitet nevoja, ne pastaj do të vazhdojmë me lokacionin e fundit”, tha Robinson.

Disa pjesë të lokacionit të gurëthyesit në Rudnicë ishin hulumtuar më herët në vitin 2007 dhe pastaj në vitin 2010 dhe 2011. Mirëpo, hulumtimi për këtë lokacion potencial ka vazhduar dhe ka çuar deri te ky projekt aktual.

“Nuk ka mundësi të thuhet se për sa kohë do të punohet këtu. Por ky lokacion i parë, fillimisht do të hulumtohet për rreth pesë ditë. Nëse gjejmë mbetje mortore, atëherë operacioni do të zgjerohet në masë të konsiderueshme”, tha Alan Robinson.