Hoxhaj në Uashington: Marrëveshja për normalizim me Serbinë mund të ndodh në vitin 2020

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në konferencën për Ballkanin të organizuar nga Atlantic Council.

Lajme

29/11/2017 21:02

Hoxhaj ka folur për sfidat politike në rajon, duke u përqendruar në dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se duhet kaluar në fazën finale dhe të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve.

Hoxhaj ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodh në 2 vitet e ardhshme, por gjithmonë, sipas tij, duke u bazuar në kontekstin e brendshëm shtetëror të Kosovës dhe të Serbisë, e po ashtu, ka thënë se një marrëveshje e tillë ka nevojë edhe për mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, me theks të veçantë tek Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, Hoxhaj ka thënë se dialogu i brendshëm në Serbi i nisur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po e krijon narrativin e njëjtë që është përdorur në kohën e ngritjes së Milloshevicit.

Hoxhaj ka theksuar se fushatat e Serbisë kundër Kosovës dhe një narrativ i tillë, e dëmtojnë dialogun, marrëveshjet e arritura dhe marrëveshjet që do të arrihen në fazën e fundit të dialogut.

Hoxhaj, po ashtu, ka thënë se Kosova nuk ka arsye ta vazhdojë dialogun me Serbinë, po që se nuk bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk arrihet njohja e ndërsjellët.