IKD mirëpret vendimet e Supremes kundër MSH-së dhe UP-së: Aktet nënligjore s’mund të krijojnë obligime jashtë ligjit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mirëpritur dy aktgjykimet e Gjykata Supreme e Kosovës në rastet e iniciuara kundër Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke i cilësuar ato si vendime të rëndësishme për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe interesit publik. Në një konferencë për media, IKD bëri të ditur se rasti i…

Lajme

14/05/2026 12:31

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mirëpritur dy aktgjykimet e Gjykata Supreme e Kosovës në rastet e iniciuara kundër Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke i cilësuar ato si vendime të rëndësishme për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe interesit publik.

Në një konferencë për media, IKD bëri të ditur se rasti i parë lidhet me shfuqizimin e tarifës prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve, të vendosur përmes Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.

Sipas IKD-së, Gjykata Supreme ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë kishte krijuar një obligim të ri financiar pa bazë ligjore, duke tejkaluar kompetencat e përcaktuara me ligj.

Hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se asnjë akt nënligjor nuk mund të krijojë obligime të reja për qytetarët përtej asaj që parasheh ligji.

Ajo shtoi se shoqërimi i pacientëve në spitale shpesh nuk është zgjedhje e lirë e familjarëve, por nevojë që buron nga kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor.

Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së Universitetit të Prishtinës për procedurat përzgjedhëse të personelit akademik.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, deklaroi se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk e pengon Universitetin e Prishtinës në mbrojtjen e integritetit akademik, por kërkon që kjo të bëhet me rregulla të qarta dhe në përputhje me ligjin.

Sipas tij, institucionet publike nuk mund të krijojnë kompetenca apo obligime të reja përmes rregulloreve, nëse ato nuk janë të parapara me ligj.

IKD vlerësoi se këto vendime përbëjnë sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e parimit të legalitetit dhe kontrollit gjyqësor ndaj akteve nënligjore. /Lajmi.net/