Hoxhaj merr mbështetje nga Lajcak
Sllovakia shteti i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka premtuar se nuk do të jetë pengesë për rrugën e vendit tonë drejt BE-së. Këtë premtim ja ka dhënë Hoxhajt ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak.
Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj, ka marrë mbështetje nga ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, i cili ka premtuar se shtetit i tij nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Sipas një komunikate të MPJ-së, Hoxhaj i cili po merr pjesë në konferencën e Grupit të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor, ka falënderuar homologun e tij sllovak për ftesën dhe përkrahje që Sllovakia po i jep Kosovës .
“Hoxhaj e ka falënderuar Lajcakun për ftesën dhe përkrahjen që Sllovakia po i jep Kosovës në të gjitha drejtimet, derisa ka marrë konfirmimin se shteti sllovak nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë për të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Hoxhaj ka zhvilluar takim edhe me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Grzegorz Schetyna, të cilin po ashtu e ka falënderuar për mbështetjen e Kosovës në ecjen e saj të shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Kryediplomati kosovar ka qëndruar të premten në Sllovaki, ku ka marr pjesë në konferencën e përbashkët të ministrave të jashtëm të katër vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor.