Hoxha: Zyrtarët policorë që kryejnë veprën penale “Dhunë në familje” nuk duhet të jenë pjesë e policisë

Ish-drejtori i Inspektoratit Policor, Valdet Hoxha, ka thënë se është shqetësuese rritja e numrit të arrestimit dhe suspendimit të zyrtarëve policorë kohëve të fundit. Hoxha u shpreh se zyrtarë që kryejnë veprën “Dhunë në familje” e raste të tjera nuk duhet të jenë pjesë e Policisë së Kosovës. “E gjithë kjo flet për numrin e…

Lajme

20/10/2025 21:06

Ish-drejtori i Inspektoratit Policor, Valdet Hoxha, ka thënë se është shqetësuese rritja e numrit të arrestimit dhe suspendimit të zyrtarëve policorë kohëve të fundit.

Hoxha u shpreh se zyrtarë që kryejnë veprën “Dhunë në familje” e raste të tjera nuk duhet të jenë pjesë e Policisë së Kosovës.

“E gjithë kjo flet për numrin e madh të organizatës si tërësi që numëron rreth 9000 anëtarë dhe kjo nënkupton që numri i këtyre rasteve të jetë më i madh. Por, është e papranueshme në parim zyrtarët policorë janë të thirrur që të mbrojnë vendin dhe qytetarët dhe vërtetë është shqetësuese dhe e papranueshme që nëse vërtetohet se kanë kryer vepra të tilla të jenë pjesë e Policisë së Kosovës. Me këto veprime do të zbehet besimi pasi policia është institucioni më i besueshëm në vend”, u shpreh Hoxha në dukagjin.

Kujtojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka arrestuar mbrëmë një zyrtar policor të dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”. IPK kishte marrë informacion dje në pasdite për një rast të dhunës në familje nga një zyrtar policor në Prizren.

Zyrtari policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në të njëjtën kohë, ai është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.