Hovi i LDK’së
Eqrem Kryeziu thotë se LDK po lëviz. Kjo lëvizje, sipas tij, po shihet çdokund.
Lajme
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, thotë se po i vjen marre që të kritikojë ‘Qeverinë Muja’. Kjo, pasi, sipas tij, pushteti i Ramandan Mujës ka punuar aq keq sa që nuk ia vlen as të kritikohet.
“Pushteti lokal në Prizren është marre të kritikohet. Ka punuar aq keq sa që nuk ia vlen të kritikohet ky pushtet”.
“Po ta kritikojmë ata gëzohen, sepse mendojnë se punët tjera i kanë kryer mirë”.
Kryeziu ka thënë gjatë takimit të tij me Nëndegën e LDK’së ‘2 Korriku’ në Prizren, se investimet e këtij pushteti sot kushtojnë dhjetëfish më shtrenjtë se sa që kanë kushtuar në kohën kur ka qeverisur ai me Prizrenin, raporton Prizrenipress.
Kandidati i LDK’së kërkoi nga mbështetësit e tij që të mobilizohen në zgjedhje për ta ruajtur votën.
“Secili duhet të jemi kujdestar të votës. Ai që vjedh shtëpinë e vet, do të vjedh çdo kund ku i jepet mundësia, pse jo edhe votën”.
Kryeziu tha para mbështetësve të tij se LDK po rritet.
“Atë që kemi ruajtur si shpresë, ajo nuk u fik, por ka marrë hov. Unë në këtë fushatë po shoh se Lidhja Demokratike e Kosovës po lëvizë, dhe kjo lëvizje po shihet çdo kund në çdo lokalitet ku do ku po shkojmë, natyrshëm edhe tek ju”.