Hovenier tha se s’janë krijuar kushtet për zgjedhjet në veri, deklarohen nga Qeveria e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar pas shpërthimeve të djeshme në veri të Kosovës. Hovenier tha se përdorimi i dhunës dhe frikësimi, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e mjeteve shpërthyese dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste,  në…

Lajme

07/12/2022 12:48

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar pas shpërthimeve të djeshme në veri të Kosovës.

Hovenier tha se përdorimi i dhunës dhe frikësimi, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e mjeteve shpërthyese dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste,  në asnjë rrethanë.

Hovenier po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes si dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë.Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin, që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jenë prioritet më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, deklaroi Hovenier.

E pas kësaj kanë reaguar nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ai tha se pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë, transmeton lajmi.net.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre”,tha Kryeziu.

Ai gjithashtu shtoi se bandat kriminale edhe mund të mos marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike.

“Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”,shtoi Kryeziu.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës.

Por disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut kanë penguar dje hapjen e zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor, duke shkaktuar edhe incidente të shumta.

E gjithë kjo situatë u krijua pak ditë para përgatitjeve të fundit në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor.

Lidhur me incidentet e djeshme nga Policia e Kosovës është thënë se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës, duke përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë këtu granata dore të prodhimit jugosllav”./Lajmi.net/