Hoti: Kushtetuesja e ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit duke shkelur dy parimet fundamentale të demokracive parlamentare

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj situatës aktuale të ngërçit institucional pas seancës konstituive të Kuvendit, duke kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese për, siç thotë ai, krijimin e krizës politike përmes vendimeve të saj të mëhershme. Në një postim publik, Hoti tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të zgjidhë çdo…

Lajme

29/07/2025 14:56

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj situatës aktuale të ngërçit institucional pas seancës konstituive të Kuvendit, duke kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese për, siç thotë ai, krijimin e krizës politike përmes vendimeve të saj të mëhershme.

Në një postim publik, Hoti tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik, por duhet të përqendrohet në zgjidhjen e atyre që vetë i ka shkaktuar përmes interpretimeve të saj, transmeton lajmi.net

Ai rikujtoi aktgjykimin e vitit 2014 – i cili është cituar edhe në vendimin e 26 qershorit 2025 – duke e cilësuar atë si themelin e një bllokade institucionale, pasi i jep partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën absolute për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke anashkaluar faktin se ajo mund të mos ketë shumicën e nevojshme për të udhëhequr institucionin.

“Ky aktgjykim e ka shkelur parimin e dominimit të shumicës, një parim themelor në demokracitë parlamentare, duke i mohuar të drejtën 80 deputetëve që mund të formojnë shumicën për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e Kuvendit,” tha Hoti.

Ai shtoi se vendimi i vitit 2014 ka prekur gjithashtu edhe një tjetër element thelbësor të funksionimit demokratik: mandatin e lirë dhe të pakushtëzuar të deputetit. Duke ia njohur ekskluzivisht të drejtën për propozim vetëm partisë së parë, deputetët nuk janë më të lirë të votojnë sipas bindjes, por janë të detyruar t’i binden një logjike procedurale që nuk përfaqëson shumicën reale në Kuvend.

“Deputeti, në këtë mënyrë, nuk është më i lirë në ushtrimin e mandatit të tij,” theksoi ai.

Hoti paraqiti edhe një propozim konkret për tejkalimin e kësaj krize: që fituesit relativ t’i njihet automatikisht e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe më pas mandatarin për Qeverinë, por kjo e drejtë duhet të jetë e kufizuar në kohë.

Nëse brenda një afati të arsyeshëm kjo e drejtë nuk shfrytëzohet, atëherë ajo i kalon çdo subjekti tjetër që arrin të sigurojë shumicën parlamentare.

“Vetëm një zgjidhje e tillë është në frymën e Kushtetutës, në përputhje me parimet elementare të funksionimit të demokracive parlamentare dhe në linjë me praktikat e shteteve evropiane,” përfundoi Hoti.

Debatet rreth seancës konstituive dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese janë intensifikuar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, kur u kontestua vendimi i kryesuesit për ndryshimin e rendit të ditës, si dhe pas interpretimit të ri të Gjykatës mbi të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit.

Postimi i plotë: 

Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik. Ajo duhet të zgjidhë, para së gjithash, ato probleme politike që i ka krijuar vetë.
Me aktgjykimin e vitit 2014, i cili citohet edhe në aktgjykimin e datës 26 qershor 2025, duke ia njohur partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën absolute për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit duke shkelur dy parimet fundamentale të demokracive parlamentare.
E para, ka shkelur parimin e dominimit të shumicës. Si rregull bazë, në demokracitë parlamentare, duke vepruar në kuadër të frymës kushtetuese, shumica gjithmonë vendos. Aktgjykimi i vitit 2014 e ka shkelur këtë parim, duke ia dhënë të drejtën vetëm partisë së parë të propozojë kryetarin e Kuvendit, pavarësisht se ajo parti nuk e ka siguruar shumicën parlamentare. Si rezultat, mund të jenë 80 deputetë – mjaftueshëm për të ndryshuar edhe Kushtetutën – që mbështesin një kandidat të caktuar, por e kanë të pamundur të votojnë pa vullnetin e pakicës për të propozuar atë kandidat.
E dyta, aktgjykimi i vitit 2014 ka shkelur parimin kushtetues sipas të cilit mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar. Duke ia njohur të drejtën absolute partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar këtë parim kushtetues. Deputeti nuk është i lirë në ushtrimin e mandatit pasi mund të votojë vetëm propozimin që vjen nga partia e parë.
Kjo krizë politike, e krijuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të zgjidhet për të dalë nga ngërçi aktual politik, si dhe për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.
Zgjidhja është e qartë: sikurse me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, i pari që del nga zgjedhjet – apo siç njihet, fituesi relativ – e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, e më vonë edhe të mandatarit për formimin e Qeverisë, në mënyrë automatike.
Por kjo e drejtë automatike duhet të jetë e kufizuar në kohë. Pas një afati të arsyeshëm kohor, siç është përcaktuar në rastin e zgjedhjes së Qeverisë, e drejta i kalon kujtdo që arrin të formojë shumicën parlamentare.
Një zgjidhje e tillë është: (i) brenda frymës kushtetuese, (ii) në përputhje me parimet elementare të funksionimit të demokracive parlamentare, si dhe (iii) në linjë me praktikat e shumë vendeve evropiane.
Edhe nëse, siç po komentohet këto ditë nga disa njohës të çështjeve kushtetuese, Gjykata Kushtetuese vendos ta kthejë seancën konstituive në datën kur, në mënyrë jokushtetuese dhe arbitrare, është ndërruar rendi i ditës nga ana e Kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, sërish duhet të zbatohet parimi bazë kushtetues: shumica vendos. Fituesi relativ i zgjedhjeve mund ta shfrytëzojë të drejtën e tij brenda një afati të arsyeshëm kohor, pas të cilit afat e drejta i kalon kujtdo që arrin të formojë shumicën në Kuvend.
Vetëm një zgjidhje e tillë respekton parimin e shumicës dhe mandatin e pakushtëzuar e të lirë të deputetit./lajmi.net/