Hoti kërkon pezullimin e punimeve që prek zonën e Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Lajme

16/08/2020 12:43

Në kumtesën qeveritare thuhet se kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Duke e ditur ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj rruge në ekonominë dhe në cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit, kryeministri Hoti e mbështet shqyrtimin e të gjitha mundësive ligjore dhe praktike në terren për ta kompletuar këtë rrugë që e lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi.

Kryeministri Hoti rithekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për t’i ruajtur dhe për t’i respektuar objektet sakrale si një vlerë e përbashkët e trashëgimisë së pasur shpirtërore të Republikës së Kosovës.

Reagimi i kryeministrit Hoti ka ardhur një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Edhe komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi, ka vizituar të shtunën Deçanin dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Risi dhe Ramosaj kanë biseduar për situatën e përgjithshme në zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit. /Lajmi.net/