Hoti: Dështimi i Qeverisë Kurti për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, humbje strategjike për Kosovën
Avdullah Hoti, ish-kryeministri i vendit i cili pesë vite më parë nënshkroi marrëveshjen me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e cila nuk gjeti zbatim pasi u ndërrua pushteti në vend, thotë se është për keqardhje se si qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk insistoi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje jashtëzakonisht të dobishme…

Lajme
Avdullah Hoti, ish-kryeministri i vendit i cili pesë vite më parë nënshkroi marrëveshjen me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e cila nuk gjeti zbatim pasi u ndërrua pushteti në vend, thotë se është për keqardhje se si qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk insistoi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje jashtëzakonisht të dobishme për vendin.
Kjo marrëveshje, sipas tij, ka qenë marrëveshja më e mirë strategjike e nënshkruar nga Kosova, krahas edhe marrëveshjes për Stabilizim-Asocim.
“Përveç njohjeve signifikante që kemi marrë, marrëveshja e Washingtonit dhe ajo për Stabilizim-Asocim janë marrëveshjet më strategjike që Kosova ka nënshkruar pas pavarësisë së saj. Në Washington e kam nënshkruar unë, atë në Bruksel ish-kryeministri Isa Mustafa. 600 milionë eurot e bllokuara burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, pra këto që na janë bllokuar nga sanksionet e BE-së. Është e papranueshme qysh qeveria aktuale nuk e çoi përpara Marrëveshjen e Washingtonit. Jam i bindur se problemet që sot kemi në energji, nëse kjo marrëveshje do të ishte zbatuar, do të ishin shumë më të vogla, sepse tashmë do të kishte përfunduar projekti i gazit, do të ishte kompletuar hekurudha për Durrës, sot ndoshta do të kishte përfunduar autostrada deri në Merdare, do të ishin lidhur dy autostradat mes veti, ajo që shkon për Shkup dhe ajo për Tiranë, tek pjesa e Shtimës dhe Lipjanit. Pra, kanë qenë projekte konkrete multimilionëshe të cilat do të ishin realizuar tashmë, por që për fat të keq kjo qeveri nuk i shtyu përpara”, ka thënë Hoti.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje strategjike, sipas Hotit, do të ndryshonte në tërësi konjukturën tonë ekonomike në vend. Këto investime të mëdha, përveç të tjerash, do të krijonin stabilitet ekonomik e politik të vendit dhe siguri më të madhe për investitorët e huaj.