Hoti akuzon Qeverinë në detyrë dhe kryetarin e Kuvendit për shkelje ligjore me projektbuxhetin 2026

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dërgimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 në Kuvend nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit. Sipas tij, ky veprim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe përbën tejkalim të kompetencave që ka një qeveri në detyrë. Hoti ka bërë të ditur se…

Lajme

01/11/2025 13:36

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dërgimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2026 në Kuvend nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

Sipas tij, ky veprim është bërë në kundërshtim me ligjin dhe përbën tejkalim të kompetencave që ka një qeveri në detyrë.

Hoti ka bërë të ditur se deputetët e Kuvendit kanë pranuar në adresat e tyre zyrtare projektligjin, të cilin e ka miratuar Qeveria në detyrë të premten, dhe që më pas është shpërndarë nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha. Ai e ka cilësuar këtë si përfshirje të Bashës në shkelje ligjore.

“Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët. Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoti ka theksuar se shkelja bëhet edhe më e rëndë pasi, sipas tij, projektligji është prezantuar në mbledhjen e qeverisë nga një deputet dhe është dorëzuar në Kuvend nga një tjetër, të cilët, bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Supreme, “janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit”.

“Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligje, nga organet e sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike”, shkroi tutje ai.

Përveç qeverisë në detyrë, Hoti pati kritika edhe për Presidencën.