Hoti akuzon Osmanin për hipokrizi: E luftonte Marrëveshjen e Uashingtonit, tani e quan të mirë

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të presidentes Vjosa Osmani për Marrëveshjen e Uashingtonit. Përmes një reagimi në Facebook, Hoti e ka akuzuar Osmanin për hipokrizi politike, duke theksuar se presidentja po përpiqet ta përvetësojë një marrëveshje të cilën, sipas tij, e kishte kundërshtuar ashpër…

Lajme

12/07/2025 13:39

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të presidentes Vjosa Osmani për Marrëveshjen e Uashingtonit.

Përmes një reagimi në Facebook, Hoti e ka akuzuar Osmanin për hipokrizi politike, duke theksuar se presidentja po përpiqet ta përvetësojë një marrëveshje të cilën, sipas tij, e kishte kundërshtuar ashpër kur ishte në opozitë.

“Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan ‘marrëveshje të mirë’ dhe madje pretendon se ‘e kemi zbatuar’,” ka shkruar Hoti.

Ai shton se kjo qasje vjen si rezultat i dëshirës për mbajtjen e pushtetit dhe jo për interesin e shtetit.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme.”

Hoti thekson se as Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen, por e kanë luftuar atë për përfitime politike.

“Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundoheni ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, shkroi ai.

Postimi i plotë:

Asgjë e re nga Osmani, vetem hipokrizi e radhës!

Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”.

Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme.

Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundohi ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik./Lajmi.net/