HISTORIKE: Man City kualifikohet për herë të parë në finale të LK

Manchester City ka fituar 4-1 me rezultat të përgjithshëm ndaj Paris Saint-Germain, për të arritur kështu kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve.

Sport

04/05/2021 22:54

Riyad Mahrez ishte golashënuesi i vetëm në këtë ndeshje, duke arritur që të shënojë dy herë dhe kësisoj edhe e ka dërguar skuadrën në finale të kësaj gare, shkruan lajmi.net.

Goli i parë erdhi në minutën e 11-të, ku algjeriani u gjet shumë mirë pranë portës për të shfrytëzuar topin e pritur nga portieri Keylor Navas.

Në anën tjetër, goli i dytë erdhi në minutën e 63-të, pas një super aksioni të ndërtuar nga skuadra e Pep Guardiolas.

Me këtë fitore, ‘Qytetarët’ janë kualifikuar për herë të parë në histori të klubit në finalen e Ligës së Kampionëve.

Man City është finalisti i parë i finales së 29 majit që do të luhet në Stamboll, ndërsa pret fituesin e takimit Chelsea – Real Madrid, për të mësuar kundërshtarin e tyre./Lajmi.net/