Historia e zgjedhjeve në Kosovë

Deri në vitin 2007 LDK-ja nuk njihte kundërshtarë. Pastaj, PDK-ja morri pushtetin dhe për dy mandate nuk e lëshoi. Në anën tjetër, AAK-ja ka ngritur votën e saj nacionale, e Vetëvendosje po ashtu. Nisma për Kosovë merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, me shpresën për ndryshim. Kjo është Kosova e zgjedhjeve të përgjithshme në 14 vjet demokraci.

Lajme

07/06/2014 13:34

Klasa politike dhe përbërja qeverisëse në Kosovën e pasluftës, nuk është se ka ndryshuar edhe aq shumë.  Pothuajse të gjitha partitë kryesore kanë arritur të shijojnë në njëfarë mënyre pushtetin.

Disa parti të reja kanë tentuar të hyjnë në skenë, mirëpo pa i rrezikuar seriozisht ato të mëdhatë, që tanimë kishin krijuar elektoratin e tyre.

Në Kosovë, që prej çlirimit janë mbajtur katër palë zgjedhje të përgjithshme. Deri në zgjedhjet e vitit 2007, Kosova ka pasur një parti dominuese. E kjo periudhë shumë lehtë mund të quhet edhe epoka e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo periudhë u quajt ndryshe edhe ajo ish-Kryetarit të ndjerë LDK-së, Ibrahim Rugovws.

Në zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës, në vitin 2001 LDK doli bindshëm e para, duke fituar 45.65% të votave, apo 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës. E rivali i saj kryesor, PDK-ja e Hashim Thaçit doli e dyta me 25.70% të votave.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2004, LDK vazhdoi hegjemoninë e saj, duke shkelur sërish kundërshtarët e saj politikë, dhe duke fituar hiq më pak se 45.42% të votave.

Në vitin 2006, LDK-ja mbeti pa liderin e saj historik Ibrahim Rugova, dhe në po atë vit u nda në dy pjesë, pasi që në Kuvendin e saj zgjedhor, delegatët e LDK-së përdorën karriget si mjet për t’i qëruar hesapet në mes veti.

E pikërisht këtë moment e shfrytëzoi Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi për herë të parë zgjedhjet e përgjithshme, e Hashim Thaçi u bë kryeministër, e që prej atëherë nuk e ka lëshuar këtë post. Ka qenë kjo parti që gjatë pushtetit të tyre, Kosova ka kaluar nëpër shumë procese shtet-formuese.

Po në këto vite të demokracisë kosovare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Në tri zgjedhjet e para, partia e Ramush Haradinajt doli e treta dhe në vitin 2004 hyri në Qeveri me LDK-në dhe morri postin e kryeministrit. E në zgjedhjet e vitit 2010, kjo parti u rëndit si fuqia e katërt në Parlamentin e Kosovës.

Vetëvendosje morri pjesë në vitin 2010 morri pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe fitoi 12 % të votave, duke u bërë kështu fuqia e tretë në Kuvendin e Kosovës, ku gjatë mandatit të kaluar, deputetët e saj ishin mjaft aktiv dhe të zëshëm.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, për herë të parë po garon edhe Nisma për Kosovën, e cila do të tentojë që të hyjë në Kuvend së bashku me AKR-në e Behgjet Pacollit.