Hiqet përkohësisht bllokada për regjistrimin e automjeteve- ku kërkohej pagesa e të gjitha gjobave paraprakisht
Agjencia e Regjistrimit Civil ka marrë vendim që përkohësisht të pezullojë vendimin për pagesat e të gjitha gjobave, në mënyrë që të arrihet mundësia për regjistrimin e automjeteve. Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, janë takuar me zyrtar të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit,…

Lajme
Agjencia e Regjistrimit Civil ka marrë vendim që përkohësisht të pezullojë vendimin për pagesat e të gjitha gjobave, në mënyrë që të arrihet mundësia për regjistrimin e automjeteve.
Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, janë takuar me zyrtar të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, e në këtë takim është diskutuar rreth problemeve me të cilat po përballen bizneset dhe sidomos bizneset e veturave me qira, lizingut, taksive, transportuesve e të tjerë, të cilëve po u pamundësohet regjistrimi i automjeteve, shkaku i gjobave të papaguara.
“Anëtarja e Bordit, Aida Selimi – Shabani, ka shprehur shqetësimin e DhTIK-së dhe bizneseve të saj, në lidhje me këtë veprim, duke vënë theksin në dëmin që po u shkaktohet bizneseve nga aplikimi i një dispozite (Neni 89, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor), e cila kushtëzonte regjistrimin me pagesën e gjobave duke i bllokuar flotat e automjeteve të tyre, si dhe duke i obliguar që të paguajnë të gjitha gjobat përnjëherë duke i vendosur në situatë të vështirë financiare e pa mundësi ankese”,thuhet në njoftim për media.
Selimi – Shabani, ka shtuar se ky kushtëzim shkel të drejtat themelore të personave fizik/juridik siç është e drejta e pronës, dhe si mase është joproporcionale, duke inkurajuar gjithashtu në mënyrë të tërthortë rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara që qarkullojnë në trafik.
“Në këtë takim nga Agjencia e Regjistrimit Civil, jemi njoftuar se është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në zgjidhjen e kësaj çështje”./Lajmi.net/