Himni i Kosovës intonohet në palestrën ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore

Xhudistët kosovarë kanë fituar pesë medalje në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Sarajevë në fundjavë. Mirëpo, më shumë bujë se sa medaljet e fituara ka bërë intonimi i himnit të Kosovës në këtë aktivitet, pasi ai u mbajt në pjesën e Sarajevës lindore, që është nën autoritetin e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.…

Sport

01/09/2024 13:04

Xhudistët kosovarë kanë fituar pesë medalje në Kampionatin Ballkanik që u mbajt në Sarajevë në fundjavë.

Mirëpo, më shumë bujë se sa medaljet e fituara ka bërë intonimi i himnit të Kosovës në këtë aktivitet, pasi ai u mbajt në pjesën e Sarajevës lindore, që është nën autoritetin e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Në fakt, ky kampionati është zhvilluar në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore.

“Çka do të thonë për këtë Dodiku e Kosharaci: Himni i Kosovës intonohet në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore”, është titulli i artikullit në gazetën “Slobodna Bosna”.

Sipas këtij mediumi pjesë e Këshillit Organizativ të Kampionatit Ballkanik ishin edhe kryetari i komunës së Sarajevës Lindore, Lubisha Qosiq dhe Miroslav Vujiçiq, deputet serb në Bosnjë-Hercegovinë.

Në këtë kampionat kanë garuar rreth 150 xhudistë nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, Moldavia, Shqipëria e Kosova, derisa Serbia refuzoi pjesëmarrjen për shkak të Kosovës.

Në videon e publikuar shihet se edhe të pranishmit në palestër e kanë respektuar himnin e Kosovës duke u ngritur në këmbë.

“Është interesant se pas garimit të garuesve kosovarë në sallën ‘Serbia’, në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore, është intonuar himni i Kosovës. Pasi pushteti në Republika Srpska dhe në Sarajevën Lindore nuk e njohin Kosovën si shtet, fillimisht do të mund të mendohej se është ndonjë lëshim i organizatorit. Por kjo është pak e besueshme duke ditur se kush ishte në këshillin organizativ. Mbetet të shihet nëse Qosiqi dhe Vujiçiqi do të kenë pasoja politike për shkak të intonimit të himnit të Kosovës në mes të Sarajevës Lindore”, thuhet tutje në artikullin e këtij mediumi.

Në këtë kampionat me medalje të arta u stolisën Flaka Loxha, në kategorinë 57 kg dhe Debora Gjakova, në kategorinë 63 kg, me medalje të argjendta u stolisën Erza Muminoviqi, në kategorinë 52 kg e Dardan Cena, në kategorinë 73 kg, derisa medaljen e bronztë e fitoi Muhamedin Veseli, në kategorinë 66 kg.