Hidhet poshtë kallëzimi penal ndaj tij, reagon Enver Dugolli

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale hodhi poshtë kallëzimin penal të Shpend Istogut. Në janar të këtij viti, Istogu kishte paditur Dugollin dhe Ermal Pandurin për nxitje të përçarjes, urrejtjes dhe mosdurimit. “Jozyrtarisht sot mësova se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të djalit të ish-UDB-ashit,…

Lajme

31/10/2025 16:56

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale hodhi poshtë kallëzimin penal të Shpend Istogut.

Në janar të këtij viti, Istogu kishte paditur Dugollin dhe Ermal Pandurin për nxitje të përçarjes, urrejtjes dhe mosdurimit.

“Jozyrtarisht sot mësova se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të djalit të ish-UDB-ashit, Ajet Istogut. Para më shumë se 44 vitesh, përveç dhunës fizike dhe torturës që ushtroi ndaj meje, Ajet Istogu kishte bërë edhe kallëzim penal për “rrezikim të rendit kushtetues të Jugosllavisë”, për të cilin u dënova me 11 vite burg” deklaroi Dugolli.

Kujtojmë se në shtator, Dugolli u intervistua nga Specialja, pikërisht për këtë padi.

Ky është postimi i plotë i tij:

Jozyrtarisht sot mësova se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të djalit të ish-UDB-ashit, Ajet Istogut. Para më shumë se 44 vitesh, përveç dhunës fizike dhe torturës që ushtroi ndaj meje, Ajet Istogu kishte bërë edhe kallëzim penal për “rrezikim të rendit kushtetues të Jugosllavisë”, për të cilin u dënova me 11 vite burg.

Në vitin 2025, djali i tij, Shpend Istogu, polic i Kosovës, paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, ndaj meje dhe Ermal Panduri, për “nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit”. Siç duket, Prokuroria e ka hedhur poshtë edhe këtë kallëzim, duke e vlerësuar të pabazuar. Drejtësia po triumfon.

Sot, të gjithë duhet ta dinë: ne jemi të lirë dhe jetojmë në Republikën e Kosovës, për të cilën punuam dhe luftuam. Nuk jemi dhe nuk jetojmë në Republikën e Jugosllavisë-Serbisë, për të cilën disa punuan dhe luftuan duke u rreshtuar në anën e gabuar të historisë.