Hetohen 13 persona për import ilaçesh
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke hetuar ndaj 13 personave të dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim i blerësve si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të dëmshme mjekësore. Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me importin e produkteve mjekësore në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke hetuar ndaj 13 personave të dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim i blerësve si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të dëmshme mjekësore.
Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me importin e produkteve mjekësore në Kosovë si dhe lëshimin e licencave dhe pajisjen e këtyre produkteve me banderola nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.
Në bazë të hetimit ekziston dyshimi i arsyeshëm se zyrtarë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale i kanë pajisur dy kompani farmaceutike për të importuar dhe shpërndarë produkte mjekësore në tregun e Kosovës, pa i plotësuar kushtet ligjore dhe përveç kësaj këto produkte ishin importuar pa licencën e AKPM-së, duke bërë që këto kompani të fitonin shuma të mëdha parash.
Në mesin e të dyshuarve gjashtë prej tyre janë zyrtarë të lartë nga Agjensia Kosovare për Produkte Medicinale, katër doganierë nga Dogana e Kosovës si dhe tre përfaqësues nga kompanitë farmaceutike.
Për rastin në fjalë, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që të dyshuarve t’ua caktojë masën e paraburgimit.