Heshtja që bën zhurmë: VV dhe Kurti nuk reagojnë për suksesi ndërkombëtar të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot nënshkroi personalisht aderimin e Kosovës në iniciativën ndërkombëtare të Presidentit amerikan Donald Trump – “Bordi i Paqes”, nga institucionet e qeverisë nuk ka ardhur asnjë reagim i menjëhershëm. Kryeministri Albin Kurti, i cili aktualisht ndodhet në Davos të Zvicrës, nuk ka bërë ndonjë koment publik për këtë ngjarje, pavarësisht…

Lajme

22/01/2026 21:25

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot nënshkroi personalisht aderimin e Kosovës në iniciativën ndërkombëtare të Presidentit amerikan Donald Trump – “Bordi i Paqes”, nga institucionet e qeverisë nuk ka ardhur asnjë reagim i menjëhershëm.

Kryeministri Albin Kurti, i cili aktualisht ndodhet në Davos të Zvicrës, nuk ka bërë ndonjë koment publik për këtë ngjarje, pavarësisht rëndësisë së saj ndërkombëtare dhe faktit se dokumenti pritet të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

As partia e tij, Vetëvendosje, nuk ka dhënë deri tani asnjë prononcim zyrtar apo vlerësim për përfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë globale, e cila mund të ketë ndikim strategjik për vendin dhe për rolin e tij në arenën ndërkombëtare.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë reagim apo koment për këtë ngjarje.

Ndërkohë, partitë tjera politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë vlerësuar lartë këtë hap të Kosovës. Lumir Abdixhiku i LDK-së e ka cilësuar si një “moment që tejkalon çdo lajm ditor” dhe një dëshmi të suksesit dhe përgjegjësisë ndërkombëtare të Kosovës.

Ndërsa Ramush Haradinaj nga AAK ka përshëndetur pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes si një “dritare shprese” dhe një hap përforcues për stabilitetin rajonal dhe partneritetin strategjik me SHBA-në./lajmi.net/