Heroi i Prishtinës

Uroj që i zgjedhuri ta drejtojë Prishtinën si të ishte shtëpia e tij dhe qytetaret si të ishin fëmijët e tij.

Opinion

29/11/2013 11:36

Ne Prishtinë, zgjedhjet komunale të ditëve që i lamë pas, edhe pse të neveritshme, falë Zotit na larguan pak nga përditshmëria monotone e kryeqytetit, nga seritë depresive turke në televizion, nga mendimet për ditët e ftohta të dimrit që po na vijnë dhe për drutë që duhet siguruar për këtë stinë të vitit.

Edhe në kafenetë e shumta të qytetit, më në fund, kemi për çka të bisedojmë.

Kandidatët e të gjitha subjekteve politike për të parin e Prishtinës, për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, ishin shumë më interesantë, më imagjinativë, nganjëherë edhe argëtues, në veçanti kur jepnin premtime të shumta që tingëllonin si përralla të mrekullueshme të llojit: Kësulëkuqja apo Borbardha të Vëllezërve Grim.

E rëndësishme për të gjithë kandidatët ishte që popullatën ta ngopnin me premtime. Askujt prej tyre nuk i ra ndërmend të pyes, mos vallë ndoshta ka uri ky popull?

Pas zgjedhjeve të para, prishtinasit tashmë janë duke numëruar ditët deri në emërimin e të parit të qytetit.

Do të jetë ky Isa apo Shpendi, njëri prej tyre do të behet, kjo gjë është shumë e sigurt. Siç është e sigurt se Isa është i LDK-së dhe Shpendi i Vetëvendosjes.

Kur i shoh prishtinasit e mi duke numëruar ditët, e shoh edhe Prishtinën time, që ma kujton boksierin e nokautuar i cili me shikimin e turbullt, fytyrën e përgjakur, trupin e molisur dhe të mavijosur, vrojton si hije gishtat e gjyqtarit para fytyrës së tij dhe nuk di çka të bëjë më tutje, të shtrihet përgjithmonë për toke që të mos pranojë më goditje të rënda dhe të papritura, siç pranoi 14 raundet paraprake, apo të ngritët në këmbët e lodhura dhe të luftojë edhe raundin e fundit, me shpresë që do të ndodhë mrekullia, dhe në fund të dalë fitimtar.

Mrekullitë zakonisht ndodhin në celuloidin e filmave holivudianë, por ndonjëherë edhe në realitet. Mrekullitë krijohen nga heroit si në film, por edhe në jetën reale.

Dëshira për të ndodhur një mrekulli e tillë edhe në qytetin tim, më bën te pyes: Kush është heroi i Prishtinës?

Heroi i Prishtinës me siguri nuk do të duhej të duket si Supermeni ose Spajdermeni, edhe pse shumë fëmijë këtë do ta donin.

Nuk do të kishte të veshura kostumet Hugo Boss ose Armani, shoferin e tij personal dhe veturën luksoze nga paraja e tatimpaguesve.

Nuk do të ishte as si Perandori romak Nero, njohës i mire i Artit dhe Arkitekturës, i cili për ta rregulluar më mirë planin urbanistik të Romës, kishte urdhëruar t’i vihej flaka krejt qytetit të Romes.

Legjenda thotë se derisa digjej Roma, Nero këndonte me kënaqësi mbi tarracën e tij me shikim kah qyteti i Romes.

Përkundrazi, Heroi i Prishtinës do të ishte një njeri si unë dhe ti, dinamik, punëtor, i zgjuar, i guximshëm dhe mbi të gjitha trim.

Guximi, trimëria dhe zgjuarsia, posaçërisht ne këtë kohë, janë te domosdoshme për të shpërberë urgjentisht dukuritë negative që na kane zënë frymën, e që dihen ashiqare si: korrupsioni, klanet, interesi, etj.

Ndërtimet e shëmtuara dhe kiçe, të ndërtuara me apo pa leje, rrugët pa puseta, pa shenjëzim, pa ndriçim, gjysmë të asfaltuara dhe të lëshuara në qarkullim ndonjëherë edhe për gara të automobilizmit, komunikacioni i dendur dhe ndonjëherë i pakontrolluar, mungesa e ujit, mungesa e vendeve rekreative, e parkingjeve dhe mungesat tjera, i bënë prishtinasit pa arsye të bëjnë një jetë jo edhe aq kualitative në krahasim me vendet fqinje.

Ky nuk është ekskluzivisht dështim apo përgjegjësi e një individi a partie, por është dështim i qytetareve të Prishtinës, që lejuan me vetëdije të plotë të vijë deri tek kjo katrahurë.

Nëse vazhdojmë kështu, jam i sigurt që një ditë fëmijët tanë do të na mallkojnë për gabimet tona. Ose, do ta mallkojmë veten qe nuk patëm mundësi t’i ndalim fëmijët tanë për të emigruar.

Së fundmi, mos t’i gënjejmë fëmijët por edhe qytetaret e shekullit 21, që Prishtina është metropol si Londra e Parisi, duke marrë shembullin e sheshit të Prishtinës. Me shesh e shkronja e kemi bërë një hap të vogël drejt modernizimit, por na duhet një hap gjigant të bërit Berlin, Paris, Londër.

Mos t’i gënjejmë njerëzit me pankarte dhe monitorë të digjitalizuar që në qytetin e Prishtinës ka prioritet shëndeti, që sporti ka perspektivë, që ka hapësirë për fëmijë, hapësira për lexim, etj., kur dihet se në kryeqytet mund të këtë shumëçka, por që nuk ka asgjë nga ato që u përmenden më lart, e sidomos hapësirë.

Isa dhe Shpendi si kundërshtarë për kreun e Komunës shpresoj që janë tashmë të vetëdijshëm për gjendjen akute në të cilën ndodhet Prishtina dhe qytetaret e saj.

Uroj që i zgjedhuri ta drejtojë Prishtinën si të ishte shtëpia e tij dhe qytetaret si të ishin fëmijët e tij.

Vetëm në rastin kur të mësohemi të punojmë të gjithë me dhe për njëri-tjetrin, e jo kundër njëri-tjetrit, vetëm në atë rast do të mund ta bëjmë një gjumë të rehatshëm në Prishtinë, por edhe në veri.

Mos të lejojmë që në raundin e fundit, të shtrihemi përgjithmonë për tokë.

Uroj që Heroi i Prishtinës të jetë një njeri si unë dhe ti.