“Hekuran, boll me lojëra politike, zhblloko buxhetin e kryeqytetit” – Përparim Rama publikon shkresën dërguar Ministrisë së Financave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, duke e akuzuar për bllokimin e buxhetit të kryeqytetit. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i…

Lajme

13/11/2025 17:16

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Financave në detyrë, Hekuran Murati, duke e akuzuar për bllokimin e buxhetit të kryeqytetit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër!”, transmeton lajmi.net.

Ai thekson se për situatën janë të bllokuara 33 milionë euro, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, duke shtuar se kjo ndodh për shkak të vendimmarrjes së ministrit.

“Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë”, shkruan Rama.

Kryetari i kryeqytetit bëri të ditur gjithashtu se sot është dërguar një shkresë zyrtare në Ministrinë e Financave për të kërkuar ekzekutimin e buxhetit, duke theksuar se qyteti nuk mund të mbahet peng i “kalkulimeve politike të askujt e as tënde”.

Postimi i plotë:

HEKURAN MURATI, BOLL ME LOJËRA POLITIKE. ZHBLLOKO BUXHETIN E KRYEQYTETIT!
Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër!
Çdo status që shkruan në Facebook nuk është kurgjo tjetër veçse një përpjekje e lodhtë për me manipulu narrativën publike dhe me zhvendos fajin.
Ne sot i kemi dërguar Ministrisë së Financave edhe një shkresë tjetër zyrtare, sepse buxheti i Kryeqytetit i përfshirë qartësisht në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025 vazhdon të mos ekzekutohet.
Dhe për këtë, përgjegjësia politike është e JOTJA!
Po flasim për 33 milionë euro të bllokuara, prej tyre 23 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, të cilat mbesin pezull për shkak të vendimmarrjes tënde.
Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë.
Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt e as tënde!/lajmi.net/