Haziri: Për herë të parë po ndodhë që të mos zbatohet vendimi i Kushtetueses
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend lidhur me konstituimin e tij, duke kritikuar qëndrimet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për votimin e fshehtë. Sipas Hazirit, aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe nuk sjell ndonjë ndryshim në standardin apo në…

Lajme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend lidhur me konstituimin e tij, duke kritikuar qëndrimet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për votimin e fshehtë.
Sipas Hazirit, aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe nuk sjell ndonjë ndryshim në standardin apo në agjendën e përcaktuar nga legjislatura e tetë.
“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit, thotë që nuk ndryshohet standardi dhe as agjenta që e ka vendosur legjislatura e tetë,” deklaroi ai në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, transmeton lajmi.net
Ai theksoi se deklaratat e Kurtit nuk kanë mbështetje në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se askush nuk po arrin të gjejë atë që po pretendon ai.
“Tash është një rregull i ri. Nuk mundet çështjet politike t’i zgjidh Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese përfaqëson institucionin e pavarur, kredibilitetin e saj, që ka nxjerr vendime për të rrëzuar president, për të ndërruar president, për të rrëzuar qeveri dhe është respektuar,” tha Haziri.
“Kurrkush nuk po mundet ta gjejë atë që po e thotë Kurti. Për herë të parë, partia e parë e zgjedhjeve të 9 shkurtit po e sfidon autoritetin, kredibilitetin, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese,” shtoi ai.
Haziri ka theksuar se kjo është hera e parë që në Kosovë nuk po zbatohet një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si situatë të paprecedentë.
“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për herë të parë po ndodhë në Kosovë. Nuk ka pasur vendim që nuk është zbatuar. Kurti i ka sfiduar partitë politike, deputetët. Unë nuk po mund ta ushtrojë mandatin tim,” u shpreh ai.
Haziri ka paralajmëruar se një qasje e tillë rrezikon të dëmtojë funksionimin e institucioneve demokratike dhe rendin kushtetues në vend./lajmi.net/