Haziri: LDK-ja nuk e kundërshtoi rezolutën, pjesëmarrja në seancë dhe mosvotimi ishin akte politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk e ka kundërshtuar rezolutën për Dhomat e Specializuara, por ka zgjedhur të mos marrë pjesë në veprimet e tjera që kanë pasuar. Ai ka theksuar se LDK-ja vazhdon të kërkojë drejtësi për të gjithë, si dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve…

Lajme

08/10/2026 13:07

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk e ka kundërshtuar rezolutën për Dhomat e Specializuara, por ka zgjedhur të mos marrë pjesë në veprimet e tjera që kanë pasuar.

Ai ka theksuar se LDK-ja vazhdon të kërkojë drejtësi për të gjithë, si dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike për çështjet me interes për Republikën e Kosovës.

“Nuk ka asgjë të re në këtë rrethanë. LDK-ja nuk e ka kundërshtuar, sikur edhe në një rast vitin e kaluar. Ka mbështetur rezolutën si vullnet i përbashkët. Në rezolutë shprehet vullneti politik. Por kur vijnë këtë veprimet e tjera, natyrisht, mospjesëmarrja me kundërshtim është e mjaftueshme për rolin politik që në këtë proces LDK-ja ka pasur dhe duhet me kuptu. Ajo që sot po pohojmë, në shtëpinë e të varurit mos e përmend litarin, është diçka në të cilën ne duhet me vazhdu gjithmonë e me ndërtu edhe me gjetë mundësi me ndërtu bashkëpunim për të gjitha çështjet që janë në interes të Republikës. Kemi kërkuar drejtësi për të gjithë, kemi thënë që drejtësia duhet me u vendos për të gjithë në Kosovë, edhe jo vetëm ne, më vonë edhe ndërkohë edhe tash janë bashkangjitur edhe parti të tjera. Dhe kjo është e mirë, tash po punohet që me u vendos drejtësi për të gjithë”, tha ai.

I pyetur për reagimet ndërkombëtare ndaj ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, Haziri ka theksuar se vendimi është marrë nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, përmes koordinimit dhe bashkëpunimit mund të gjenden mënyra për zbatimin e ligjit.

Haziri ka folur edhe për zgjedhjen e Justina Pulës presidente të Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si shpresë për tejkalimin e krizës politike.

“Në këtë frymë pak a shumë është e pritshme për LDK-në. Por është vendim i Kuvendit të Republikës, është institucion i cili përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës. Dhomat e Specializuara kanë dalë si prodhim edhe votim i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ka ndarje të sovranitetit dhe drejtësisë, por kjo me koordinim, me bashkëpunim mund të rregullohet dhe mund të gjenden mënyra me u zbatu ligjin. Me këtë rast unë dëshiroj me përgëzu edhe me u uru Justina Shiroka Pulen. Zgjedhja e saj për presidente është shpresë. Përballim i një situate dhe krize politike për dy vjet gati që Kosovën e çojnë në vitet e humbura. Ajo tani bart këtë shpresë të pjesës dërmuese të Kosovës, që Kosova ka potencial, ka mundësi me përballuar proceset politike dhe që jo vetëm opozita, po edhe shoqëria civile edhe të tjerët e kanë një derë ku mund të komunikojnë dhe uroj të mos jetë një shpirt ku mund të vajtojnë”, u shpreh Haziri.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentes, Haziri ka komentuar edhe takimet që LDK-ja kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka thënë se fillimisht ishte diskutuar emri i Bekim Sejdiut, por më pas Kurti kishte vendosur të ndërtonte një marrëveshje tjetër politike me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas Hazirit, LDK-ja ka vendosur një standard të ri politik duke marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes, pavarësisht se nuk ishte pjesë e marrëveshjes.

Ai ka theksuar se si pjesëmarrja në seancë, ashtu edhe mosvotimi, përbëjnë akte politike, duke shtuar se LDK-ja do të vazhdojë të ruajë karakterin e saj institucionalist.

“LDK-ja e ka pasur një proces të ndërtuar me zotin Kurti dhe ka dalë një emër, Bekim Sejdiu. Nuk doli i mjaftueshëm dhe zoti Kurti ka vendosur që me PDK-në me ndërtuar një rrugë tjetër dhe mënyra se si është ndërtuar, mënyra si u negociua u pa këtë të diell. Fillojmë me Bekim Sejdiun e përfundojmë me Justina Pulën, kemi edhe katër emra në mes. Dhe kjo është çështje e një modeli që kanë zgjedhur ata, ka zgjedhur ai, zoti Kurti apo zoti Hamza në këtë rast. Në fund prodhojnë një shumicë politike. LDK-ja dhe me LDK-në në këtë proces politik është një standard i ri. Ju e dini kur janë zgjedhur presidentët, sa herë janë zgjedhur presidentët, partia që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes nuk ka marrë pjesë në seancë. Ne kemi marrë pjesë në seancë, kemi qëndruar në seancë. Votimi është akt politik. Votimi është akt politik. Voton, nuk voton, abstenon, është akt politik. Ne kemi qëndrim politik, kemi bërë akt politik. Pjesëmarrja jonë është akt politik, mosvotimi është akt politik dhe duhet ta kuptoni. Kemi uruar me njëra pas tjetrës, bile e para që ka uruar e dini kush ka qenë? Për befasi, për të mirë sigurisht. Dhe tani ne vazhdojmë me jetuar me institucionet. Ne e ruajmë atributin e partisë institucionaliste deri në fund, kjo është vlerë politike, nuk është dobësi”, tha ai.