Haziri: Kurti e futi Gjilanin në “gropë të zezë politike”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për neglizhencë dhe mashtrim ndaj qytetarëve të Gjilan dhe rajonit të Anamoravës. Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se Kurti po “shet mjegull” me premtime të vogla infrastrukturore, ndërsa sipas tij, qyteti vazhdon të mbetet pa projekte madhore…
Lajme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për neglizhencë dhe mashtrim ndaj qytetarëve të Gjilan dhe rajonit të Anamoravës.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se Kurti po “shet mjegull” me premtime të vogla infrastrukturore, ndërsa sipas tij, qyteti vazhdon të mbetet pa projekte madhore dhe në krizë politike.
“500 mijë euro për me çelë shtigje, e 1.5 milionë të tjerë kudo që janë, bëhen peng të krizave politike”, ka shkruar Haziri.
Ai ka renditur mungesën e investimeve në stadium, palestër sportive, impiant dhe kolektorë të ujërave të zeza, duke shtuar se Gjilani “është pa kryetar e pa Komunë përnime”.
Sipas Hazirit, përgjegjësia për gjendjen politike dhe ekonomike bie mbi Kurtin dhe qeverisjen aktuale.
“Gjilanin e futi në gropë të zezë politike dhe akoma vazhdon me shitë mjegull”, ka deklaruar ai.
Tutje, Haziri është shprehur se qytetarët nuk do t’ia harrojnë “depresionin politik dhe ekonomik” që, sipas tij, i është shkaktuar Kosovës.