Haziri kritikon Qeverinë për mosplotësimin e tri kushteve për anëtarësim në KiE
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërmbushjen e tri kushteve që, sipas tij, vazhdojnë të mbeten pengesë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Haziri, pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë…
Lajme
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërmbushjen e tri kushteve që, sipas tij, vazhdojnë të mbeten pengesë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Haziri, pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, theksoi rëndësinë e rolit të Gjermanisë në proceset integruese të Kosovës.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga pesha rëndësia dhe roli i shtetit Gjerman, është lokomotiva e Evropës sot, i integrimeve evropiane. Për LDK nuk është vetëm aspiratë, është mision integrimi në BE dhe NATO, Gjermania ka një rol kritik. Në anën tjetër Këshilli i Evropës mbetet në tre kushte që Qeveria nuk i ka plotësuar ende dhe për herë të parë ka ndodhur që këshilli i ministrave nuk e miraton raportin e asamblesë parlamentare, kjo është e dhimbshme”, tha Haziri.
Ndërkohë, Haziri komentoi edhe zhvillimet e fundit në vend pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohet përgjegjësia institucionale.
Ai vlerësoi se për dështimet e politikës po sakrifikohet Policia e Kosovës, institucion të cilin e ka cilësuar me kredibilitet dhe besueshmëri të lartë.
Sipas tij, pas suspendimeve të ndërmarra në Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës, përgjegjësia tashmë ka mbetur në nivelin qeveritar, ndërsa theksoi se dorëheqja është akt moral.
“Sa i përket zhvillimeve të brendshme, është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo çka po ndodh. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, sikurse është edhe veprimi politik. Tre drejtorë të policisë po marrin përgjegjësi publike dhe morale me e shpëtua politikën. Për dështimet e politikës sakrifikohet institucioni e cila është policia që ka kredibilitet dhe besueshmëri. Ata kanë bërë suspendime, prokuroria por përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinet qeveritar. Akti i dorëheqjes është moral”, tha Haziri.