​Haxhiu: Vështirë se do të marrim përgjigje nga Serbia për transferimin e të burgosurve shqiptar në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu u shpreh skeptike se do të marrin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Serbi lidhur me dërgimin e letrës ku është kërkuar transferim i katër të burgosurve shqiptar mbi dyshimin për krime lufte. Haxhiu potencoi se Serbia vazhdimisht refuzon të ketë bashkëpunim juridik me institucionet e Kosovës, për çka përmendi…

Lajme

03/07/2024 15:02

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu u shpreh skeptike se do të marrin përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Serbi lidhur me dërgimin e letrës ku është kërkuar transferim i katër të burgosurve shqiptar mbi dyshimin për krime lufte.

Haxhiu potencoi se Serbia vazhdimisht refuzon të ketë bashkëpunim juridik me institucionet e Kosovës, për çka përmendi mosdorëzimin e kriminelëve për krime të luftës në Kosovë si dhe atyre për sulmin terrorist në Banjskë.

Në kuadër të pyetjeve të gazetarëve, pas ngjarjes ku Haxhiu kishte organizuar me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale”, ajo tha se për dërgimin e kësaj letre e kanë njoftuar edhe Brukselin përmes zëvendëskryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë.
“Ne kemi vlerësuar se është e rëndësishme që t’i drejtohemi ministres së Drejtësisë së Serbisë, me qëllim që ata qytetarë, katër qytetarët tanë të transferohen në Republikën e Kosovës dhe të ballafaqohen me sistemin tonë të drejtësisë, mbi pretendimet të cilat ata i konsiderojnë. Këtë letër e kam dërguar fundjavën kaluar, ne ende nuk kemi marrë përgjigje, nuk mund të them nëse do të kemi apo jo përgjigje. Por, duke pasur parasysh që në vazhdimësi ka pasur refuzim për bashkëpunim juridik dhe duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon në Kosovë as kriminelët që kanë kryer krimet luftë në Kosovë në kohë të luftës, nuk i dorëzon as kriminelët apo terroristët që kanë kryer sulme terroriste, referuar sulmit terrorist në Banjskë, natyrisht që është goxha e vështirë të themi që mund të kemi përgjigje apo jo…Ne kemi njoftuar edhe dje në Bruksel përmes zëvendëskryeministrit dhe përfaqësuesve tanë atje për letrën që e kemi dërguar dhe në vazhdimësi. Por dhe dje kemi bërë thirrje që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj letre dhe kësaj kërkese”, tha Haxhiu.

Përveç këtyre, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu konsideroi se burgosja e shqiptarëve atje me pretendimin për krime lufte është e qëllimshme, politike dhe e padrejtë.

Ndër të tjera, Haxhiu u pyet nëse Kosova duhet të paguajë avokatë për mbetjen e të burgosurve shqiptar në Serbi, siç pretendohet se Serbia paguan për të arrestuarit që i ndalon shteti ynë.

Lidhur me këtë, Haxhiu deklaroi se kanë marrë kërkesa nga familjarët e të arrestuarve, porse potencoi se nuk ka ndonjë ligj që Qeverisë së Republikës së Kosovës i jep të drejtën të mbështesë financiarisht mbrojtësit e personave të cilët mbahen në burgjet e Serbisë.

Ajo shtoi se MD-ja po e trajton edhe këtë çështje.

“Sipas legjislacionit në fuqi, kjo tashmë nuk është e rregulluar, pra nuk ka një ligj që Qeverisë së Republikës së Kosovës i jep të drejtën që të mbështesë financiarisht mbrojtësit e personave të cilët mbahen në burgjet e Serbisë. Ne kemi pasur kërkesa nga familjarët e këtyre personave. Si ministri e Drejtësisë po e trajtojmë, por nuk mund të them se cili do të jetë vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, apo në këtë rast ministrisë së drejtësisë, duke pasur parasysh mungesën e bazës ligjore’, theksoi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka kërkuar nga autoritet e Serbisë transferimin e katër shtetasve të Kosovës që aktualisht po mbahen në burgjet e Serbisë.

Personat që janë arrestuar janë: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.