Haxhiu thotë se Kurti po i kërcënon deputetët e tij për Trustin: Ju thotë vendi do të shkojë në zgjedhje

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke i kërcënuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse e votojnë projektligjin për Trustin, i cili do të hidhet nesër në votim në Kuvend.

Lajme

15/06/2022 23:55

Haxhiu ka deklaruar se Kurti po kërcënon edhe deputetët me të cilët ka koalicion “se do t’i largojë nga koalicioni”.

“Nëse deputetët lihen të lirë që në vullnetin e tyre të votojnë projektligji për trustin kalon, nëse vazhdon ky presion i pushtetit të Albin Kurtit mbi deputetët e mazhorancës me kërcënime se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse e votojnë trustin, ose se do t’i largojë nga koalicioni partnerët të cilët i ka, edhe të minoriteteve edhe të Listës Guxo, atëherë rrezikohet të mos kalojë”, tha Haxhiu në T7.

Tutje ai tha se këto kërcënime ua kanë treguar deputetët e minoriteteve, por edhe deputetë të VV-së.

“Këto janë format e presionit që pushteti i Albin Kurti dhe vetë Albin Kurti është duke ua bërë deputetëve. Po na kanë thënë deputetët e mazhorancës këtë edhe deputetët e minoriteteve, por edhe deputetë tjerë të VV-së”, tha Haxhiu.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, sot përmes një konference për media ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët, siç thekson PDK, nga fillim viti 2020 po përballen me krizën financiare.