Haxhiu: Të zgjedhim presidentin, pastaj të trajtojmë ndryshimet për Specialen

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të jetë prioritet për partitë politike, duke kundërshtuar mundësinë që kjo çështje të lidhet me votimin e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës. Haxhiu ka thënë se nuk duhet të ketë “pazare” politike…

Lajme

02/10/2026 13:49

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të jetë prioritet për partitë politike, duke kundërshtuar mundësinë që kjo çështje të lidhet me votimin e ndryshimeve ligjore për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Haxhiu ka thënë se nuk duhet të ketë “pazare” politike për zgjedhjen e presidentit dhe ka bërë thirrje që subjektet politike të ulen dhe të diskutojnë për çështjet që i konsiderojnë prioritare, raporton lajmi.net

“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, tha ajo.

Haxhiu propozon strategji të përbashkët për procesin në Hagë

Sipas Haxhiut, pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohet edhe iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për hartimin e një strategjie të përbashkët institucionale lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.

“Pse po e them thënë këtë? Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët. Dhe për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, tha ajo.

Haxhiu ka insistuar se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet pa vonesa, duke paralajmëruar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente përsëri në të njëjtën situatë politike.

“Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje. Dhe sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, tha ajo./Lajmi.net/