Haxhiu shpreh keqardhje për ekspozitën skandaloze për masakrat, thotë se vendimi për financim është marrur në kryesinë e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur sot para mediave në lidhje me ekspozitën skandaloze që Shkelzen Gashi me organizatën e tij Integra ka bërë për masakrat gjatë luftës në Kosovë. Ajo në emër të kryesisë së Kuvendit ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, shkruan lajmi.net. “Na vjen shumë keq për…

Lajme

30/03/2026 12:58

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur sot para mediave në lidhje me ekspozitën skandaloze që Shkelzen Gashi me organizatën e tij Integra ka bërë për masakrat gjatë luftës në Kosovë.

Ajo në emër të kryesisë së Kuvendit ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, shkruan lajmi.net.

“Na vjen shumë keq për të gjitha familjet, palët që janë prekur më së shumti e sidomos për qytetarët e Republikës së Kosovës. Pas këtij rasti, si kryesi e Kuvendit do të ndërmarrim hapa për ndryshimin e rregullores ekzistuese me qëllim që të formojmë komisione të posaçme profesionale që vlerësojnë kërkesat e tilla, sepse rregullorja për subvencionim nuk parasheh një gjë të tilla. Apo në anën tjetër, siç u përmend në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, siç bëjnë sidomos ekzekutivi ku bëhen thirrje publike paraprakisht e më pas mbështeten projekte të caktuara nga ana e komisioneve profesionale”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk e ka organizuar këtë ekspozitë.

“Nën patronatin tim si kryetare e Kuvendit, është organizuar vetëm një ekspozitë dhe atë më 6 mars. Më 6 mars në tri ditët e Epopesë së UÇK-së, si kryetare e Kuvendit kam organizuar një ekspozitë së bashku me Instituin për Krime të Luftës. Atë ekspozitë e kemi bërë në hollin e Kuvendit,dhe aty kemi ekspozuar fotografi të realizuara nga dy fotografë shqiptarë që ndërlidhen me krimet që kanë ndodhur në Prekaz dhe për herë të parë kanë qenë publike. Pikërisht ata që sot më linçojnë e akuzojnë, nuk ishin të pranishëm në këtë ekspozitë të realizuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ka pasur edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës që nuk kanë qenë të pranishëm ndonëse thirrja është bërë për të gjithë”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, është mbështetur pas një vendimi në kryesinë e Kuvendit.

“Përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët tjerë kanë votuar për këtë vendim. Kryesia ka vepruar mbi bazën e paraqitur në atë kohë, dhe siç e kemi thënë nuk ka pasur asnjë indikacion për saktësi. Duhet përmendur se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetenca të drejtpërdrejta të Kuvendit e as kryesisë së Kuvendit. Duhet ta keni të qartë se Kuvendi i Kosovës, në përputhje me kompetencat e tij, mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve, organizatave që trajtojnë çështje me interes publik përfshirë edhe kujtesën kolektive dhe dokumentimin e luftës. Kjo mbështetje nuk nënkupton ndërhyrje në përmbajtje e as miratim të saj, nuk ka mekanizma të tillë ligjor, përmbajtja mbetet përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve”, ka shtuar e para e Kuvendit.

Ajo ka thënë se Kuvendi nuk ka mekanizma të tillë që të hetoj, apo kërkoj mbi projektet që prezentohen nga organizatat apo qytetarët e vendit.

“Historia e të kaluarës sonë kërkon seriozitet, përgjegjësi dhe mbi të gjitha kërkon unitet. Në këtë drejtim me Qeverinë e kaluar kemi ndërmarrë shumë veprime që adresojnë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin që ka ndodh në Kosovë. Në këtë drejtim ne kemi themeluar Institutin për Krimet e Luftës në Kosovë, por ky Institut është themeluar me qëllim që të kemi të dhëna të sakta. Nëse dokumentimi i krimeve të luftës do ishte bërë menjëherë pas saj përshembull me 20 qershor 1999 do të ishte shumë e lehtë, por më shumë se dy dekada më pas ne nuk kemi pas një institut që dokumenton dhe verifikon krimet e luftës në mënyrë që ne të mos përballemi me probleme të tilla”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se lufta e fundit është një plagë e hapur dhe i dhemb të gjithëve, dhe reagimet e tilla janë normale.

“Ende nuk ka drejtësi për krimet e luftës, por ne kemi adresuar gjykimin në mungesë duke pas parasysh se Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Nuk i dorëzon as kriminelet që kanë kryer krime gjatë luftës e as terroristët që kanë kryer krime, i referohem terrorizmit në Banjskë. Pra, Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve që kryejnë krime në kohë të paqes. Prandaj, siç e keni parë asnjëherë më shumë aktakuza për krime lufte nuk ka pas. E di që nuk janë boll, por ne kemi shtuar kapacitetet në Departamentin Special për Krime Lufte, kemi shtuar numrin e policëve, kemi mundësuar gjykimin në mungesë dhe kemi miratuar strategjinë për drejtësinë tranzicionale që adreson nevojat e viktimave”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se Qeveritë prej pas luftës e shpalljes së Pavarësisë, nuk kanë bërë përpjekje më serioze sesa prej Qeverisë Kurti 1.

“Lus që këtë dhimbje të madhe të vërtetës, mos të lejojmë të na prekin ata që në çdo dhimbje tonë provojnë të shënojnë poena politik. Kuvendi nuk është autor i ekspozitës dhe të gjitha subjektet politike në kryesi përveç Listës Serbe e kanë votuar një kërkesë të tillë nga organizata Integra. Pas diskutimeve që kemi pas në kryesi, shtrohet pyetja kush nuk do ta mbështeste një kërkesë nëse ndërlidhet me masakrat në Kosovë gjatë luftës. Atë nuk e kanë mbështetur vetëm Lista Serbe, dhe edhe ju do ta mbështetnit një gjë të tillë. Na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, edhe organizatorët kanë kërkuar falje, ne bëmë atë që kemi mundur dhe kemi ditur dhe po ashtu menjëherë do të merremi me ndryshimet e rregullores për subvencionim”, ka shtuar Haxhiu. /Lajmi.net/