Haxhiu – Rexhepit: Trego kush ka ndërhyrë në punën tënde, do të ballafaqohemi qoftë në Prokurori apo ku do

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu që për pesë vitet e fundit ka qenë ministre e Drejtësisë, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi për ndërhyrje në punën e Komisonit të Jurisprudencës. Ajo ka thënë se e ka parë me shqetësim këtë deklaratë, dhe ka thënë se është…

Lajme

27/04/2026 15:51

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu që për pesë vitet e fundit ka qenë ministre e Drejtësisë, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi për ndërhyrje në punën e Komisonit të Jurisprudencës.

Ajo ka thënë se e ka parë me shqetësim këtë deklaratë, dhe ka thënë se është e befasishme se si ai nuk e ka raportuar këtë në Prokuri Speciale ndërsa e ka ftuar që sa më parë ta bëj raportimi.

“Unë iu garantoj si Ministre e Drejtësisë, se asnjëherë as unë as kabineti im, as zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë asnjëherë nuk kanë pas ndërhyrje apo përpjekje për të ndërhyrë kush, kur dhe kë me kalu.  Në të kaluarën po, mua vetë komisionet më kanë tregu se si kanë shkuar emra të përveçëm sepse unë nuk i kam ata emra. Pranda, unë e kam parë me shqetësim dhe edhe sot i bëj thirrje kryetarit të këtij komisioni dhe atij të Gjykatës Supreme, nëse nuk i ka raportu emrat e përveçëm për ndërhyrje le ta bëj sa më parë. Është shumë e rëndësishme që praktikat e mbrapshta të së kaluarës të mos vazhdojnë tutje”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kërkuar nga Rexhepi që të flet se kush ka ndërhyrë në punën e tij.

“Është shqetësuese kjo deklaratë sidomos kur vjen nga kryetari i Gjykatës Supreme. Unë do të përballem me të, qoftë publikisht, qoftë në Prokurori qoftë në debate televizive. Jam shumë e hapur sepse jam e vetëdijshme për punën time si miniustre e Drejtësisë. Njësoj si noteria, njësoj si përmbarimi, njësoj si jurisprudenca, të gjitha kanë kalu pa asnjë ndërhyrje të vetme nga askush. Për këtë jeni të bindur, asnjë ndërhyrje”, ka shtuar ajo.

Rexhepi ka shprehur shqetësimin e tij, lidhur me vendimin e datës 20.04.2026, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, “të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.”

“Andaj, emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë”- shkruan në reagimin e tij, të publikuar nga Supremja në Facebook më 21.04.2026.

Rexhepi, përmes këtij reagimi, ka deklaruar se si kryetar i Komisionit të deritanishëm, vlerëson se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion.

“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit”- shkruan në reagim.

Sipas tij, tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti. Arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë për të emëruar komisionin në përbërje të re, siç shkruan ai, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.

“E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisioni”- shkruan në reagim.

Sipas tij, puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët.

Rexhepi ka deklaruar se për ta ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Për mua personalisht dhe për anëtarët e Komisionit integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e profesionit edhe si anëtar i Komisionit, nuk janë parime që shkruhen vetëm në letër, por janë parime që duhet t’i ushtrojmë në çdo veprim tonin”- shkruan në reagim. /Lajmi.net/