Haxhiu: Po bëjmë përpjekje maksimale që Kosova të mos humbë fondet e Planit të Rritjes së BE-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucionet e vendit janë duke punuar për përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda evropiane dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova të mos humbë fondet e parapara nga ky plan. Haxhiu ka rikujtuar se vendi ka kaluar një periudhë dyvjeçare…

Lajme

26/11/2026 13:28

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se institucionet e vendit janë duke punuar për përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda evropiane dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova të mos humbë fondet e parapara nga ky plan.

Haxhiu ka rikujtuar se vendi ka kaluar një periudhë dyvjeçare të bllokadave politike, të cilat, sipas saj, kanë ndikuar në vonesat për përmbushjen e obligimeve institucionale.

“Ne kemi pasur dy vite bllokada. Fatkeqësisht, domethënë, nuk kemi arritur që të shmangim zgjedhjet që i kemi pasur të panevojshme, të paktën dy prej tyre kanë qenë të panevojshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe votimit të presidentes, institucionet kanë rifilluar punën për realizimin e obligimeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.

“Me këtë rast, sapo ne kemi konstituuar Kuvendin, kemi zgjedhur Qeverinë dhe kemi votuar presidenten e vendit, ne kemi vazhduar obligimet që dalin nga agjenda evropiane dhe nga Plani i Rritjes”, është shprehur ajo.

Duke folur për përgjegjësitë e Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se dy prej obligimeve kryesore janë Komisioni për Ndihmë Shtetërore dhe miratimi i Kodit Etik për deputetët.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka dy obligime kryesore, që është Komisioni për Ndihmë Shtetërore dhe në anën tjetër edhe Kodi Etik për deputetët, prandaj me shpejtësi të paparë, me hapa të shpejtë ne kemi vazhduar punën në obligimet që kemi”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka përmendur edhe projektligjet e tjera që janë pjesë e agjendës legjislative, duke theksuar se një pjesë e tyre tashmë është proceduar dhe votuar në Kuvend.

“Në anën tjetër janë shumë projektligje që janë në agjendën legjislative, të cilat Qeveria ka premtuar që t’i adresojë, shumë prej tyre i ka proceduar dhe i kemi votuar, por megjithatë i kemi edhe disa obligime të tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, ajo ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që Kosova të mos rrezikojë humbjen e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes.

“Është e rëndësishme që të mos humbim fonde nga Bashkimi Evropian që dalin nga Plani i Rritjes e megjithatë po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë”, ka përfunduar Haxhiu. /Lajmi.net/